Futboll

Ju prezantojmë Union Berlinin, klubin antisistem që pret emigrantët!

Klubi tjetër i kryeqytetit gjerman ka fituar në “play-off” ndaj Shtutgartit (2-2 në transfertë dhe 0-0 në shtëpi) dhe do të debutojë në nivelin më të lartë të futbollit në vend. Një skuadër e Lindjes në Bundesligë, më e veçanta, më ekologjikja dhe ajo më në Gjermani.

Gjak dhe djersë janë imazhet e retorikës së futbollit, që tregojnë sakrificën dhe ekzistencën, por në rastin e Union Berlinit kjo është më reale se kurrë. Kur mungonin paratë – duheshin një milion e gjysmë në vitin 2004 – tifozët hodhën idenë t’i fitonin ato duke dhuruar gjak. Dhe kur stadiumi “Pylli i vjetër”, ky është emri zyrtar, kishte nevojë për një restaurim, secili dha ndihmën e vet, gratis: 140 mijë orë pune vullnetare gjatë lejeve të zakonshme për rreth 2400 tifozë, të cilët në 300 ditë morën pjesë në modernizimin e stadiumit. Si kompensim, vetëm një kasketë e kuqe dhe emri në një monument poshtë tribunës, por jo biletën gratis për ndeshjen inauguruese. Ky është Union Berlini, i ngjitur për herë të parë në Bundesligë pas bashkimit të Gjrmanisë.

Monumenti simbolik i kushtuar tifozëve që kontribuuan për modernizimin e stadiumit

Berlini nuk është epiqendra e futbollit gjerman, nuk ka qenë kurrë, nuk e ka traditën e Mynihut apo të Ruhrit, të Hamburgut apo të Bremenit. “I varfër, por seksi” – ishte slogani identifikues i metropolit që kishte ekstravagancën e tij të pavarur — një ishull në zemër të bllokut komunist — me borgjezinë e rigjetur, kryeqyteti qendër i qeverisë dhe një kryqëzim i rëndësishëm për fatet e Europës. I varfër edhe në futboll, me dhimbjen e Herthës dhe kupat e mëdha të largëta si derbit e mëdhenj. Në Berlin nuk fitohet si në Madrid, Romë dhe Londër. Por tani “Olympiastadion” nuk do të mbushet vetëm për Bajernin apo Borusian. Është një Berlin kundër tjetrit, Perëndimi kundër Lindjes. Sepse Unioni vjen nga Kopenick, lagjja në pjesën juglindore të një qyteti të dendur dhe ku pushtimi i turistëve në vitet e fundit nuk njeh ende një limit.

Marvin Friedrich, autori i golit të barazimit në Shtutgart, duke festuar suksesin me birrë

Pylli i lirisë — Shtëpia e Unionit është në një pyll, ndaj dhe ka marrë atë emër: është më mirë ta konsiderosh si një vendbanim për tifozët se një stadium. Gjatë pushimit të ndeshjes jepen edhe lajmet më të trishtuara, si për shembull, ngushëllimet për dikë që nuk mund të marrë më pjesë në spektakël. Edhe pse ka një ekran të madh modern, led dhe me shkrime me ngjyra, rezultati shfaqet edhe te numrat e vjetër prej druri, tabela për ndërrimet me dorë është ende, nuk është hequr për t’i bërë vend tribunës Vip. Edhe për faktin se askush nuk ndihet Vip në “Pyllin e vjetër”, as futbollistët që vijnë me biçikletë, ose me Fiestën e gjyshes. “Unioni i hekurt” (Eisern Union) është nofka e klubit. Lagjia në shekullin e shkuar kishte rrënjë proletare dhe punëtore. Fabrikat dhe metalpunuesit kujtojnë të kaluarën.

Edhe sensi i bashkëjetesës në një qark të mbyllur është vërtet i kohëve të tjera: gjatë Botërorit 2014, në stadium u instalua një ekran gjigant dhe çdokush mund të shkonte aty me një kolltuk apo një divan me vete për të qenë sa më komod. Gjermania fitoi titullin, e admiruar edhe nga 750 divane mbi fushën e Unionit. Në 2003-shin nisi tradita e urimit të Krishtlindjeve në fushë, edhe kur nuk kishte ndeshje. Tani ato 90 minuta këngë janë kthyer në një event kult në kryeqytet, i frekuentuar më 23 dhjetor nga rreth 30 mijë persona, që bëjnë gjithashtu edhe donacione. Ka edhe imitime, në Këln dhe në Dortmund, por nuk i afrohen kurrë atmosferës origjinale.

Festa e tifozëve me një nga lojtarët e skuadrës

Nga Stasi tek emigrantët — Në kohët e Republikës Domokratike të Gjermanisë, të shkoje në Union do të thoshte të mos aprovoje regjimin. Ndeshjet ishin një pikë takimi edhe për ata që nuk e pëlqenin edhe aq futbollin. Kori i famshëm “muri duhet të bjerë” dëgjohej sa herë Unioni gjuante ndonjë goditje dënimi dhe përballë ishte muri i lojtarëve kundërshtarë, por kuptohet që ai kor shërbente për të nënkuptuar diçka tjetër. Rivali më i urryer ishte Dinamo Berlin, ekipi i preferuar i Erich Mielke, shefit të madh të Stasit, policisë sekrete gjermane. Dinamo fitoi 10 tituj radhazi para bashkimit, Unioni vetëm një kupë në vitin 1968. Nuk konsiderohej një klub i rrezikshëm, sepse në të kundërt do të ishte shkrirë, por sigurisht që nuk ishte mik me regjimin. Nuk i përkiste pjesës së shtetit (policisë, ushtrisë), siç ka ndodhur në diktaturat e Lindjes. Quhej Union (bashkim), në qytetin e ndarë.

Në himnin e kënduar nga një ikonë punk-rock si Nina Hagen, kuptohej vizioni i një bote të re që do të ndryshonte Gjermaninë, por jo Unionin. Kush nuk do të blihej nga Perëndimi? “Unioni i hekurt”. Berlini ka ndryshuar. Lindja dhe Perëndimi gjeografikisht nuk ekzistojnë më, por tentativat për ta joshur shpirtin kanë mbetur deri tani larg pyllit të Unionit. Tre vjet më parë, kur me ardhjen e emigrantëve u fut në krizë edhe sistemi social i kryeqytetit gjerman, Unioni priti me qindra emigrantë në shtëpinë e tifozëve. Një ish-supermarket u modifikua me lojëra për fëmijët e huaj. Në atë kohë pati disa programe për integrimin e emigrantëve, u krijua shoqata “Porta të hapuar”, me ndihmën e sa cilës emigrantët mund të futeshin në kompani të ndryshme, duke ndjekur kurse pune në bazë të profesionit që kanë mësuar në vendin e tyre.

Stadiumi i Union Berlinit

Triumfi në tualet — “Mu*, po ngjitemi në Bundesligë” - ishte një nga parullat e shkruara nga tifozët, kur “rreziku” po afrohej. Sepse Unioni nuk është borgjezuar me bashkimin e Gjermanisë dhe ka frikë ta bëjë tani me futjen në futbollin e miliardave. Ka frikë se përfundon si qyteti, që është shtrembëruar nga një seri ndryshimesh urbanistike dhe social-kulturore. Një sfidë e bukur ideologjike për një klub, që ka “pushuar në vend” një sponsor, kur u zbulua se në radhët e tij kishte një personazh me një të kaluar te Stasi. Por edhe për një klub, që i rinovoi kontratën Benjamin Köhler, kur lojtari zbuloi se kishte një tumor malinj dhe më pas u shërua. Tek Unioni takohen pjesëtarët e këshillit drejtues, teksa shesin gazetën sociale, përpara tribunave. Sepse nuk ka diferenca në Berlinin tjetër, një komunitet i veçantë, ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin.

Urs Fischer, trajneri i Union Berlinit, duke festuar

Për ngjitjen e ekipit në Bundesligë erdhi një trajner i huaj, zvicerani Urs Fischer, më pak i prekur nga sensi i afeksionit, që njëherë e një kohë nuk lejonte marrjen e vendimeve mizore, edhe në një grup lojtarësh që vlen 15.2 milionë. “Ku isha në momentin e vërshëllimës përfundimtare? Në tualet. Edhe gruaja ime, në tualetin femrave”, - ka thënë presidenti i skuadrës, Dirk Zingler, të hënën në mbrëmje, para se të niste festa që zgjati deri në 6 të mëngjesit. Unioni do të dijë ta përballojë Bundesligën: 85% e vendeve në stadium janë më këmbë, sepse kështu duan njerëzit. Në kodin e nderit është shkruar se futbollistët nuk vërshëllehen kurrë dhe askush nuk duhet të dalë nga stadiumi para se të mbyllet ndeshja. Problemi është për të gjetur bileta, sepse ortakët janë më shumë se 22.012 vendet e “Pyllit të vjetër”. Dhe shumë berlinezëve të Perëndimit tani do t’u pëlqejë të ndihen ndryshe, si Unioni.
Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë