Vilat e ndërtuara në vitet ’20 –’30 në Tiranën që merrte formën e kryeqytetit nisën t’u ngjanin gjithnjë e më shumë fantazmave me trokitjen e tranzicionit. E shkuara iu la harresës dhe kushteve atmosferike, ndërsa pronarët i kthyen sytë nga shpresa e investitorëve që mbi gërmadhat e godinave, të cilat dikur i kishin dhënë një farë shijeje prej kryeqyteti europian, të ngriheshin shumëkatëshe.
Qytetin e vjetër sot duhet ta gërmosh në disa lagje ku ende qëndrojnë, edhe pse në trajta gjysmë të rrënuara, vilat e harruara të Tiranës. Një prej zonave është “Kont Urani”, rrugica që lidh rrugën e Kavajës me atë të Durrësit. Një mbretëri e vogël e arkitekturës italiane, ku me të hyrë duket sikur rrëmbehesh në kohë të tjera. Kohë kur zhvillimi ishte i menduar gjatë e fytyra e qytetit ndryshonte padyshim më ngadalë, nga ritmi i shfrenuar i tridhjetë viteve të fundit.
Disa prej vilave, edhe pse u ngjajnë plakave me rrudha e të gërmuqura nga motet gëzojnë status si monumente kulture të kategorisë II. Mes tyre edhe vila me katër kate, e cila në vitet ’30 të shekullit XX u ndërtua nga familja tiranase, Kollçiu.
E ndërtuar më 1938-n, në të njëjtin vit ku në një zonë tjetër të Tiranës, aty ku banonte një tjetër familje e pasur dhe e shquar tiranase, ajo e Toptanëve, ngrihej Qendra Kulturore italo-shqiptare, “Skënderbeg”, fati i vilës në rrugën “Kont Urani” do të qe historia.
Ajo u sekuestrua me urdhër të Mbretit Zog, thuhet në përshkrimin që uebsajti i Bashkisë Tiranë i bën ndërtesës dhe nga ai vit e deri më 1965-n, shërbeu si qendra e Radio Tirana.
Pesë muaj para pushtimit italian të Shqipërisë, qendra e radios ishte në godinën e vjetër të Bashkisë , për t’u transferuar më 1939 aty, ku sot në vend të kujtesës apo kremtimit historik ka vetëm hije, lagështi e myshk.
Vila në fjalë u konceptua për të qenë simetrike, me dy hyrje kryesore dhe një pas, që të nxjerr në oborr. Në shkallët e hyrjeve kryesore është përdorur granil, në korridor mermer, hekur i rrahur në parmakë, dru në dyer e dritare, të cilat në një ditë nga këto u hoqën gjatë natës.
Vila e stilit neoklasik, vite më vonë pasi radioja ishte shpërngulur aty ku gjendet sot, në kompleksin e RTSh-së, do të bëhej shtëpi e Institutit të Kulturës Popullore.
Ky i fundit u themelua më 1979, kur studimet folklorike dhe ato etnografike, të themeluara qysh më 1947-n, u bashkuan. “Ajo ndërtesë është godina e parë e “Radio Tiranës”. Aty është godina ku ka funksionuar për vite e vite të tëra Instituti i Kulturës Popullore. Vendi ku ka qenë arkivi unikal i muzikës popullore shqiptare. Ajo godinë ka shumë rëndësi për kulturën shqiptare edhe si një ndërtesë nga ana arkitektonike e një periudhe të caktuar e viteve ‘20-’30. Prej vitesh aty është ruajtur arkivi unikal. Ajo godinë nuk duhet të preket”, do të shprehej etnografja Afërdita Onuzi dikur drejtoreshë e Institutit të Kulturës Popullore, para se emri të ndërrohej më 2007 në Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit dhe të shpërngulej në një tjetër godinë.
Qysh në vitin 2000, zonja Onuzi e kishte ngritur zërin për kushtet jo të favorshme të godinës ku ruhej kultura materiale e vendit, ku theksonte lagështinë si armik kryesor. “Kushdo që vjen për një punë, për një kontakt, për një të dhënë në institut, gjëja e parë që i bie në sy është godina. Në pamjen e parë prezantimi nuk është aq i këndshëm, për një institucion kulturor”, thoshte për mediat Onuzi.
Shtatë vjet më vonë, me një vendim të Ministrit të Kulturës së asokohe Bujar Leskaj, vila që kishte strehuar fillimisht Radio Tiranën e më vonë Institutin e Kulturës Popullore do të shpallej monument kulture i kategorisë II.
I njëjti vit që shpalli ansambël kulturor godinat në rrugën Murat Toptani, ku nga një anë ishte Ministria e Brendshme dhe Bashkia dhe pas tyre Teatri Kombëtar, i shembur në maj të 2020-s pasi godina në vetvete nuk kishte statusin e monumentit të Kulturës dhe si nga qeveria qendrore ashtu edhe ajo vendore u shpall zëshëm si objekt pa kurrfarë vlere e madje i dëmshëm për shëndetin nga materialet e përdorura asokohe si populit apo asbest.
Por me gjithë statusin viteve të fundit, vila nuk ishte më në gjendje të strehonte institucione. Familje të komunitetit rom e pastruan mesa mundën dhe ditën përdornin hapësirën e oborrit për të shitur veshje të vjetra.
“Vila e Ish-Radio Tirana përbën një monument të kategorisë së dytë. Mungesa e mirëmbajtjes ndër vite e ka bërë që të humbasë çdo virtyt si ndërtesë, nga ato virtyte që i japin atë gjendjen e euritmisë vitruviane, një vepre arkitektonike”, shkruan arkitektja Jora Kasapi.
Shumë nga vilat e harruara të Tiranës, ta ngacmojnë shkarazi kujtesën se urbanizimi nuk ka nisur as pas pluralizmit politik e as nga regjimi i dikurshëm i pasionuar pas stilit sovjetik të arkitekturës. Gjurmët e arkitekturës italiane janë ende, të paktën në bulevardet kryesore godinat bashkëmoshatare me vilat nëpër lagje e rrugica, janë të mirëmbajtura dhe shërbejnë si seli e dikastereve qeveritare.
Shumë janë monumente kulture, të kategorisë I apo II por fati i tyre nuk është i njëjtë. Nëse disa janë kthyer në seli diplomatike apo zyra bankash, të tjera u janë dorëzuar fuqisë gërryese të kohës.
Vilat, në më të shumtën e rasteve kanë pronarë privatë, që ndoshta edhe e vështirëson marrëdhënien me institucionet e kulturës apo me mirëmbajtjen e tyre.
Por edhe në këtë rast, Ligji i ndryshuar për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë e ka parashikuar se shteti përballon të gjitha shpenzimet për ruajtjen e vlerave historiko-artistike, të cilat nuk lidhen me qëndrueshmërinë e objektit, në monumentet e kulturës të të kategorive I dhe II.
Në rastin e monumenteve të kategorisë së II, shteti përballonte kostot në 30 përqind të restaurimit, ndërsa 70 përqind i takonte pronarit privat.
“Kur pronari joshtetëror i monumentit të kulturës nuk ka fonde për kryerjen e punimeve të restaurimit, pas planifikimit të këtyre punimeve, shteti ndërmjetëson pranë bankave për përfitimin e kredive afatgjata me kushte lehtësuese”, parashikon neni 37 i këtij ligji.
Por edhe në rastin kur pronari kundërshton kredinë dhe kur monumenti është në rrezik shembje, ligji e parashikon që punimet e restaurimit bëhen edhe pa pëlqimin e tij nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, ose edhe nga subjekte të tjera të licencuara për këtë qëllim.
Sipas nenit 39 të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, monumentet e kulturës mund të rijetëzohen për qëllime administrative dhe social-kulturore, me kusht që funksioni i ri të mos dëmtojë vlerën e monumentit. “Në çdo rast, shfrytëzimi i monumenteve të kulturës lejohet vetëm pasi të jetë lidhur kontrata ndërmjet përdoruesit dhe pronarit, i cili është i detyruar të vërë në dijeni Institutin e Monumenteve të Kulturës”.
Shtëpia me Gjethe, vila dykatëshe përballë Kishës Ortodokse në Tiranë, e cila kishte shërbyer fillimisht si shtëpi e Gestapos gjatë Luftës e si zyra përgjimi të Sigurimit famëkeq të Shtetit u rijetëzua si muze për t’u dëshmuar brezave të rinj, por edhe vizitorëve të huaj tmerret e regjimit të shkuar.
Arkitekti Titi Seranaj në një postim në Facebook përshkruante në skemë, që sipas tij po përdoret për shkatërrimin e vilave me status monument kulture të kategorisë II.
Instituti i Monumenteve të Kulturës, nuk i mirëmban, thotë Seranaj. Pronarët nuk lejohen t’i restaurojnë. Objekti rrënohet.
“Shfaqet banditi që pajiset me leje nga Arta Dollani dhe projekt shumëkatësh miratuar nga kryebashkiaku ilegjitim në detyrë Erion Veliaj. Trashëgimia kulturore në duart e krimit”, shkruan arkitekti, ndërsa nga Instituti i Monumenteve nuk ka asnjë reagim zyrtar.
Kreu i tij, zonja Dollani, nuk iu përgjigj mesazheve të Gazeta Si për një sqarim institucional, nëse godina e parë e Radio Tirana do të shembej apo për të do të kishte një plan restaurimi.
“Ne kemi një drejtoreshë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, që duhet të reagojë. Pa marrë vendim IMK dhe Ministria e Kulturës, nuk mund të ndërhyhet në godinat monument kulture. Nëse flasim për një nga godinat historike si ajo e “Radio Tiranës” duhet të ishte restauruar. Nëse ekziston si monument kulture duhej të ishte restauruar, kjo është e qartë”, do të shprehej restauratori i shquar, prof.dr.Emin Riza pas lajmit se vila në fjalë kishte nisur të çmontohej heshtur dhe në terr.
Sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, gërmimi, restaurimi, përdorimi dhe çdo veprim tjetër në monumentet e kulturës, si dhe çdo ndryshim në truallin e vënë në mbrojtje rreth tyre, bëhet vetëm me autorizimin e Institutit të Arkeologjisë ose Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Në punimin e saj mbi “ndërtesat e padëshiruara të Tiranës”, arkitektja Jora Kasapi citonte “Rubish Theory” të Michael Thompson, i cili shkruan se “pushteti për të krijuar apo shkatërruar vlerë nuk i jepet gjithkujt. Kjo gjë sfidon jo vetëm nocionet arkitektonike mbi të qëndrueshmen dhe efemeralen në arkitekturë por gjithashtu sfidon lidhjet sociale (të pushtetit) , thellësisht të lidhura me pyetjen se kush e cakton vlerën e gjërave”.
Gjendja e degraduar e vilës në rrugën Kont Urani, humbur mes bimësisë dhe myshqeve u soll në vëmendje dy vjet më parë, ndërsa Radio Tirana mbushte plot 80 vite nga transmetimi i saj i parë, me fjalët jehuese “Ju flet Tirana!”.
Ishin këto fjalë që do të sillnin jo vetëm inovacionin dhe zhvillimin teknologjik e mediatik në vend, por radioja do të bëhej përcjellëse sa e informacionit, aq edhe e kulturës në vend.
Nga përurimi më 28 nëntor të vitit 1938, në mikrofonin e Radio Tirana kaluan zëra nga më të njohurit në artin dhe kulturën shqiptare si sopranot Marije Kraja, Tefta Tashko Koço, Merita Sokoli e Lola Gjoka, tingujt e pianistit Tonin Guraziu apo fjalimi i famshëm i Fan Stilian Nolit dhe zëri i aktorit të madh Aleksandër Moisiu.
U bë shkolla e redaktorëve si Dhora Leka dhe e spikerëve si Kaliopi Plasari dhe Haki Bejleri që ishin edhe të parët folës, për të kaluar në një aradhe emrash të shquar të radios si Viktori Xhaçka, Kristaq Andoniu, Sterio Spase, Mihal Popi, Besim Lubonja, Kadri Roshi, Reshat Arbana, Vera Zheji, Piro Naçe, Hamdi Sulçebej e shumë e shumë të tjerë.
Vitin e kaluar, Festivali Ndërkombëtar Artit të Rrugës, që prej tre vitesh mbështetet nga Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës zgjodhën ta zhvillonin edicionin në rrugën “Kont Urani”.
Vendtakimi u zgjodh pikërisht për të kthyer sytë nga Radio Tirana dhe mesazhin p të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore.Sot në murin e rrënuar që rrethon ndërtesën arrin të shquash një murale me një djalë që mban një mikrofon radioje, nga ato të modës së vjetër.
“Për mua personalisht si artist ka shumë rëndësi që monumenti i kulturës Radio Tirana të jetë sërish në qendër të vëmendjes dhe të kthehet në një monument të vërtetë, ashtu si ka dhe emrin aq më tepër të jetë dhe për turistët”, do të shprehej vitin e kaluar artisti i ri Franko Dine, i cili pak kohë më parë krijoi muralin “Biblioteka” tek Pallati i famshëm me Kube, projektuar nga arkitekti Maks Velo e ku banuan shkrimtarët Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe kompozitori Feim Ibrahimi, edhe ai monument kulture i kategorisë II.
Për arkitektin restaurator Latif Lazimi, ndërtesa e vjetër e Radio Tiranës ka të njëjtat vlera me godinën e shembur të Teatrit Kombëtar.
“Mu në mes të Tiranës, këtyre “patriotëve” - sigurisht edhe mua- po ju prishet një prej ikonave te Trashëgimisë Kulturore dhe askush nuk flet. Të protestoje jo e jo, por as edhe një koment në Facebook nga dhoma e ngrohtë, e janarit. Ja pra, kjo godinë është shembulli më i mirë i patriotizmit të sotëm shqiptar. Indiferentizmi dhe moskokëçarja për trashëgiminë e vet, gjë që brezat që do të vijnë do të duhet të jetojnë në një shkretëtirë kulturore pa asnjë identitet”, shkruante Auron Tare, në profilin e tij në facebook, ndërsa shtonte se degradimi i godinës linte të kuptohej se do t’i hapte udhë ndërtimit të radhës.
Në rrugën e Kavajës dhe rrugicën Kont Urani, Ministria e Kulturës do të shpallte disa vila të tjera si monumente të kategorisë II, më 2015-n.
Pasurimi i listës së monumenteve me objekte të reja, duket se do të sillte edhe konflikte gjyqësore të bizneseve private me Ministrinë e Kulturës. Më 2016-n, një Vendim në Gjykatën Administrative të Apelit është depozituar një padi nga shoqëria “LIM-EM” shpk, me objekt shfuqizimin e pjesshëm të Urdhrit të Ministrit të Kulturës nr. 276 date 16.07.2015 “Për shpalljen monument kulture të kategorisë II, të disa objekteve ne qytetin e Tiranës”, në lidhje me pasurinë me nr.1/134, ZK.8360....
“Fjalët e specialisteve shkojnë në vesh të shurdhër. Mos u lodhni kot ore njerëz të mirë . Ata që marrin vendim, si Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve apo Bashkia e Tiranës janë pushtuar nga ata që duan të zhdukin çdo gjë të vjetër”, shkruante arkitekti restaurator Guri Pani, ndërsa e cilësonte godinën e vjetër të Radio Tirana, jo vetëm me vlera historike, por edhe emocionale për kryeqytetasit.
Për ata që duan të shijojnë Tiranën e së kaluarës, e gjejnë edhe për pak kohë në disa rrugë e rrugica. Por ndryshe nga Korça që i restauron e i mirëmban vilat e shekullit XX, në kryeqytet ato u ngjajnë fantazmave, por pamja e mjeruar as nuk tremb.
Vetëm pak ditë më parë, ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri me dije se ishte arritur një marrëveshje me qeverinë turke për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, një objekt i shekullit XVII me stil arkitekturor otoman. Siç ironizonte arkitekti Guri Pani, të presim “edhe italianët të na pushtojnë për të restauruar banesat e mbetura të viteve ’30-’40 në Tiranë”, ku disa prej arkitektëve më në zë erdhën nga Italia për t’i dhënë fytyrën urbane kryeqytetit shqiptar. / Përgatiti:Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.