Gazeta Si - GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" për Jorgo Goron, kryebashkiakun në detyrë të Himarës, i arrestuar dy ditë më parë për shpërdorim detyre me akuzën e tjetërsimit të pronave.
Ndërsa drejtorit të Kadastrës, Bilbil Aliaj, trupa gjykuese i ndrysoi masën në detyrim paraqitje. Në seancë, ai tha se nuk ka patur njohje me investitorin e tokës për të cilën bëhet fjalë.
“Nuk kam patur asnjë kontakt apo njohje me investitorin Artan Gaçi, apo me persona të tjerë të lidhur me të. Nuk kam patur sugjerime, udhëzime apo ndërhyrje lidhur me këtë çështje përfshirë dhe Jorgo Goron. Më ka ardhur një praktikë si titullar, e përpiluar nga punonjësit përkatës, siç ndodh zakonisht ku janë ekspertët dhe stafi përpilues, të cilën e kam firmosur si titullar”, u shpreh ai. Të arrestuarit tjetër për këtë çështje, Vezir Gjikoka, iu la në fuqi masa e sigurisë, ajo e arrestit në shtëpi.
Goro akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me pronën, ku Artan Gaci, ish-deputeti socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka po ndërton një investim strategjik në miliona euro. Siç shihet edhe në foto, ai shfaqet i heshtur pas kafazit të xhamit pak pas nisjes së seancës.
Po në këtë seancë, nga GJKKO do të verifikohen edhe masat e sigurisë për 4 të akuzuarit e tjerë, dy prej tyre ende në kërkim.
Bashkë me Goron janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, tre prej të cilëve janë lënë në “arrest shtëpie”.
I arrestuar është pronari i tokës, Stavri Mëhilli, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë.
Në "arrest shtëpie" janë lënë Bilbil Aliaj, ish-drejtor i ASHK Drejtoria Vendore Vlorë kur nisi hetimi, Vezir Gjikoka, ish-jurist, Jerasimo Bashi, ish-drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë.
Bilbil Aliaj, ish-drejtor i ASHK Drejtoria Vendore Vlorë kur nisi hetimi, akuzohet nga SPAK si i dyshuar dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Jerasimo Bashi, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Vezir Gjikoka, me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Jorgo Goro akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një sipërfaqe në total prej 10592 m2, të cilat më pas iu shitën për investim strategjik biznesmenit Artan Gaçi, ish-deputet i PS.
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Goro në cilësinë e kryetarit të bashkisë në bashkëpunim me Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumente tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.
Po ashtu, Goro akuzohet se ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.