Gazeta Si – Përveç kalimit ilegal të emigrantëve nga kanali i La Manshit me gomone dhe “shtëpive të barit”, bandat kriminale shqiptare po dërgojnë qindra miliona paund të ardhura kriminale nga Britania e Madhe në Shqipëri çdo vit.
Alarmi vjen nga media britanike, e cila duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë, konfirmon se disa biznese të ndryshme në ishull, përdoren shpesh për të pastruar paratë, por shumica e fondeve kriminale thjesht kthehen në Shqipëri me dorë ose me automjete.
LEXO EDHE:
– Luftë brutale, dhunë dhe pengmarrje mes shqiptarëve për tregjet e kanabisit në Britani të Madhe
– Nga veterinerë e kamarierë / Rrëfimet e shqiptarëve që ikin ilegalisht në Angli: Shkojmë më lehtë, por kthimi është i vështirë
Në konfiskimet e fundit, 300.000 paund u gjetën në bagazhe në një aeroport në Mbretërinë e Bashkuar, me destinacion kryeqytetin shqiptar, Tiranën.
Në një rast tjetër, oficerët e kufirit gjetën 500.000 £ të fshehura në një furgon në një port në Mbretërinë e Bashkuar.
Grupet shqiptare të krimit tani kontrollojnë shumicën e fermave të kanabisit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Vitet e fundit, kriminelët shqiptarë kanë marrë përsipër një pjesë të madhe të tregtisë së kanabisit nga grupet kriminale vietnameze.
Pjesa më e madhe e aktivitetit kriminal që përfshin fermat e kanabisit, është e përqendruar në zonat më veriore.
Por pothuajse në çdo pjesë të vendit, shqiptarët janë grupi dominues i përfshirë në kultivimin e kanabisit.
Sipas “GB Neës”, një njësi e specializuar e policisë në Suffolk kohët e fundit, tha se shumica e kriminelëve që përdornin rrugët e atij qarku për krimin e drogës ishin shqiptarë.
Në jug të vendit, grupet kriminale shqiptare ende kontrollojnë pjesën më të madhe të tregtisë së kokainës.
Burimet thanë se tregtia e kanabisit ishte kryesisht e pavarur mes kriminelëve shqiptarë, por tregtia e kokainës mbikëqyret kryesisht nga bosët e krimit në Shqipëri.
Në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, së fundmi ka pasur një sërë arrestimesh të shqiptarëve të dyshuar për përfshirje në kontrabandën e njerëzve përmes kanaleve.
Sipas raporteve të qeverisë britanike, brenda këtij viti kanë kaluar më shumë se 10 mijë shqiptarë përmes brigjeve të La Manshit drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.