Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, është një personazh mjaft simpatik edhe jashtë politikës. Të gjithë kujtojnë sa fuqishëm e mbështeti ajo Kroacinë gjatë Botërorit të Rusisë në shkallët e stadiumit. Por nuk është vetëm futbolli sporti i saj i preferuar. Së fundi ajo ka takuar kampionin e peshave të rënda, Stipe Mioçiç, i lindur në Ohajo, por me prindër kroatë.
Stipe Mioçiç, kampion bote për peshat e rënda (UFC), ka lindur në Euklid, Ohajo, është zjarrfikës dhe nuk humb asnjë ndeshje të Brauns në futbollin amerikan (Nfl). Por ai nuk e tradhton origjinën kroate, siç kuptohet qartë nga emri dhe mbiemri. Nëna e tij është nga Cetingradi, kurse babai nga Rtina. Mioçiç është krenar për origjinën dhe shpesh mban të mbathura me kuadrate të bardha dhe të kuqe gjatë ndeshjeve, ngjyrat e atdheut të tij të dytë. Diçka që nuk ka kaluar pa u vënë re në Zagreb dhe presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila merr pjesë në asamblenë e OKB-së në Amerikë, ka shkuar në Kleveland për të takuar kampionin dhe jo vetëm.
Grabar-Kitaroviç, të cilën të gjithë e kujtojnë në krah të Makron me fanellën me kuadratet bardhekuq gjatë finales së Botërorit të Rusisë, nuk u mjaftua vetëm me një përshëndetje në palestrën e Mioçiç, por edhe u stërvit me të. Dhe nuk shkoi keq, siç boksieri shpjegon: “Ka një të majtë të fortë. Çfarë nderi për mua vizita e saj… E falënderoj Kroacinë që gjithmonë bën tifo për mua”. Nuk është hera e parë që në Kroaci kryqëzohen politika dhe sporti. Legjenda Mirko “Cro Cop” Filipoviç, përveçse një kampion i peshave të rënda në “Mma” dhe kikboks, dhe agjent i trupave speciale kroate, ka qenë në parlament për 5 vjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.