Ngjarje

Jo veç Durrësi e Thumana. Dëmet e tërmeteve i “afrohen” Tiranës

Durrësi dhe Thumana janë kthyer në epiqendrën e termeteve të vazhdueshme që kanë goditur ditët e fundit Shqipërinë, por situata paraqitet mjaft dramatike edhe në qytezat dhe fshatrat përreth Tiranës dhe Durrësit.
Larg syrit të publikut dhe medieve, banorët e Krujës, Shijakut, Ishmit, Lezhës, Sukthit, apo Pezës, kanë braktisur prej tre ditësh shtëpitë dhe nuk pranojnë të kthehen në shtëpi. Ata përballen me nevojë urgjente për ushqime dhe batanije, pasi të paktën 1400 banesa kanë pësuar dëmtime të rënda. Shifrat i bëhen të ditur Gazetës “Si” nga inspektorë dhe zyrtarë në terren.


Situata më e rëndë paraqitet në Krujë, ku Gazeta “Si” mëson se ka më shumë se 600 banesë të dëmtuara. Xhulian Kafeshiu, i cili është pjesë e skuadrës së inspektorëve në terren thotë se Kruja dhe zona dhe përreth saj kanë pësuar dëme kolosale.
“Shtatë pallate janë të pabanueshme. Kruja ka nevojë për cadra sepse shumë njerëz nuk pranojnë të rrinë nëpër kampe por duan të rrinë afër shtëpive të tyre pasi kanë hallin e bagëtive”, i thotë ai Gazetës.

Disa banesa e shtëpi të dëmtuara në fshatrat mes Shijakut dhe Tiranës:

Ismaili, zëvëndës-kryetari i Shijakut i tha Gazetës “Si” se në këtë qytet ka të paktën 30 banesa dhe pallate të pabanueshme.
“Kanë ardhur ndihma po kemi nevojë për më shumë shtretër dhe batanije do bëjmë një evidentim të mëtejshëm sepse mendohet të ketë më shumë banesa të prishura”, i tha ai Gazetës.


Aurel Alimaxhi, një vullnetar që është pjesë e skuadrës së kërkim-shpëtimit të ngarkuar nga autoritetet Sukthit thotë për Gazetën “Si”, së të paktën 240 shtëpi janë dëmtuar dy pallate janë totalisht të pabanueshme.
“Po kalohen njerëzit nga kampet në hotel. Ka 40 shtëpi të pabanueshme dhe të paktën 200 ankesa shtëpi të dëmtuara dhe 2 pallate totalisht të pabanueshme”, shprehet ai, duke theksuar se deri më tani kanë ardhur disa ndihma por se është e nevojshme të bëhet më shumë.


Ndërkohë në Lezhë Gazeta “Si” ka mësuar se ka të paktën 300 shtëpi të dëmtuara. Jolanda Gjeci, e cila është pjesë e skuadrës së Kryqit të Kuq që po ofron ndihmën e parë në banesat e dëmtuara në terren thotë se 1 pallat është i pabanueshëm.
“Në Lezhë kemi nevojë urgjente duhen rreth 90 dyshek e krevate plus çadra ushqime dhe veshmbathje”, i thotë ajo Gazetës.

Nga ana tjetër dëme kolosale ka pasur edhe në Ishëm por për fat të mirë nuk ka pasur viktima. Ramazn Sulaj, inspektor civil thotë për Gazetën Si se ka shpërndarë çadra në të gjitha ndërtesat e dëmtuara, por se nuk mund të japë një shifër zyrtare për numrin e tyre, pasi në Ishëm është dëmtuar edhe njësia administrative.
“Janë prishur shumë shtëpi dy-katëshe dhe ndërtesa të vjetra. Po vazhdojmë inspektimin dhe kemi shpërndarë ndihma për të gjithë banorët e prekur. Mbrëmë erdhën ndihma nga Kosova dhe 2 furgona me ushqime e veshmbathje”, i thotë Sulaj Gazetës Si.
Po ashtu Gazeta “Si” mëson nga ekipet në terren se në Manëz ka 250 familje që kanë braktisur shtëpitë si pasojë e dëmtimit nga tërmeti dhe po strehohen në çadra. Ata mësohet se kanë nevojë për batanije, ushqime dhe cadra të mëtejshme pasi nuk pranojnë të kthehen në banesa.
Situatë katastrofike paraqitet edhe në Vorë, ku anëtarë të Kryqit të Kuq i thanë Gazetës “Si” se ka pasur disa të lënduar si pasojë e panikut nga lëkundjet. Sipas burimeve në terren, në këtë qytet ka nevojë urgjente për çadra, ushqime që konsumohen në moment, batanije dhe vesh-mbathje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë