Irena Beqiraj

Jo kamera, por ktheni shqiptarët tek kutitë e votimit

Eshtë ekonomia që i nxjerr njerezit nga shtëpia edhe i çon drejt kutive të votimit

Covid-19-n pa frikë do ta konsideroja “Mjelmën e Zezë", koncepti i së cilës  mjeshtërisht shpjegohet nga Nassim Nicholas Taleb. Mjelmat e zeza  janë ngjarje të pazakonta nga të cilat mësojmë se ajo që nuk dimë është shumë më e rëndësishme sesa ajo që dimë.  

Për gjithë botën Covid-19 konsiderohet një “Game changer“ i cili do të çojë pa zgjithshmërisht në një rimodelim të ekonomisë botërore në tre drejtime:  do të ribalancojë  marrëdhëniet  midis tregjeve dhe shtetit, në favor të këtij të fundit; do të rivendosë balanca të reja midis hiper-globalizmit dhe autonominë ekonomike kombëtare, po ashtu në favor të kësaj të fundit; si dhe do të zvogëlojë ambiciet për rritjen ekonomike . Këto janë ndryshime të mëdha, karshi të cilave do të duhet të përshtatet çdo ekonomi e madhe apo e vogël qoftë.

Ndërkaq, pandemia ka përkeqësuar të paktën 3 kondicionet para-ekzistuese të ekonomisë shqiptare. Kondicioni ri parë është stanjacioni jociklik -ndërrthurja e rritjes së ulët të produktivitetit, me kthimin e ulët të investimeve private dhe rrezikun e deflacionit.

 Së dyti, do të zgjerohet hendeku i pabarazisë ekonomike e cili varet nga elasticiteti i rritjes ekonomike. Rritja ekonomike shqiptare ka një elasticitet të ulët, pasi një 1% rritje ekonomike con në një ulje të varfërisë vetëm me 0.8%. Ndërkohë që për çdo 1% rritje ekonomike varfëria ulet me 4% në Serbi.

Së treti, pjesërisht si rezultat i kostove të përballimit të situatës, por edhe si rezultat i menaxhimit të mëparshëm, parametrat fiskalë do të përkeqësohen dhe ekonomia jonë do të jetë edhe më e ndërvarur nga financimi i huaj.

Çdo ditë e më shumë po vërtetohet frika e madhe e disa njohësve të mirë të ekonomisë vendase se rimëkëmbja ekonomike shqiptare në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme nuk do të ndjekë  modelin në formë V-je, (pra një rënie e mprehtë e ndjekur nga një ngritje e mprehtë), por recensioni  do të jetë më i gjatë në formë U. Nëse de-globalizimi përshpejtohet dhe nëse vërtetohet një rënie e kërkesës dhe e ofertës në tregjet financiar, ekziston një mundësi reale që recesioni të jetë dhe më të gjatë dhe më i dhimshëm në formë L-je, për 2020-2022.

Ndërsa pasiguria po kthehet në siguri, është e dhimshme që as ndryshimet e pritshme në  modelin ekonomik global e as kusuret ekzistuese dhe të përkeqësuara të ekonomisë tonë, nuk i kanë shqëtësuar mjaftueshëm drejtuesit politik të këtij vendi. Fokusi i tyre është tavolina e administrimit të zgjedhjeve. Quajnë “refomë zgjedhore”  vendimet për vendosjen e  kamerave në dhomat e votimit, përcaktimin e rradhës në lista (2 burra një grua) apo uljen e financimeve të partive, një absurditet që në kushtet e një ekonomie 40% informale është i destinuar të mbetet një përrallë me ligj. Megjithatë, na e ka lënë detyrë OSBE-ODHIR edhe partnerët tanë strategjik. Ku ka më shumë arsye se kaq, për ta konsideruar prioritetin e prioriteteve duke e zbukuruar edhe me keq-përdromin e rradhës që i bëhet fjalës reformë.

Asgjë, as Covid-19, e as ulja më e madhe ekonomike në rajon, nuk mund t’i ç’fokusojë drejtuesit tanë politik dhe kukuvajkat rreth tyre. Lajmi se do të vendosim kamera në dhomat e votimit apo do të depolitizojmë komisionet zgjedhore është progresi që “pritet nga populli shqiptar“, i cili do të bënte mirë jo vetëm të harronte  që ka parë progrese të tilla çdo dy vjet në shkuarën, por vendosmërisht syshqiponjë  duhet të shikoj nga e ardhmja. O zot?! Por si do ta gjejmë një mënyrë të pranueshme, përshembull për të depolitizuar komisionet, kur më shumë se 56% e votuesve nuk i afrohen kutive të votimit as si votues, jo më si komisionerë?.

Nëse e gjeni durimin të dëgjoni me kujdes e pa u nxehur ( edhe pse është e  vështirë kjo e fundit) do ta  kuptoni që strategjisë qartësisht mjerane e dembele- “ të konsumojmë edhe dobësojmë sa më shumë kundështarin”- i përshtaten vetëm kamerat, rradha në lista, depolitizimi i komisioneve edhe financimi i partive, të cilat do të tingëllojnë bukur kur shkruhen në letër.

Të dobësosh kundështarin, është më lehtë se të imponohesh si alternativë, është më e lehtë se të frymëzosh, nuk ka nevojë për ekip, të mjaftojnë ca papagaj të qëmtuar me kujdes në faunën partiake, që përsërisin hërë qetësisht edhe herë me gjuhë  të fortë trupi, të njëjtat gjepura.

Nuk do të gjendet kurrë një pikë që do të mbushte kupën e maxhorancës në pushtet, pasi eksperienca na ka treguar që me përmbysjen e një maxhorance dembele dhe të korruptuar, rruga i është hapur një opozite të lodhur e tepër të  etur për pushtet dhe përfitime. Në karrigen e opozitarit  flasin vetëm për prishjen e PPP-ve, luftën kundër korrupsionit, kundër oligarkëve, apo edhe për teza më sëkëlldisëse për ekonomistët , sic është ulja e taksave në një vend ku nuk paguhen taksat. Këto teza pa vlerë, të dala nga armët e të njëjtit mekanizëm të luftës politike që synon thjesht të dobësojë kundështarin, por jo të ofrojnë zgjidhje, kanë 30 vjet që buçasin si krisma në ajër, duke i largur shqiptarët nga kutitë e votimit.

Janë kantandisur të diskutojnë vendosjen e kamarave, sepse partite politike të vdekura e të pakallura, administrojnë një proces votimi të pakicës . Partitë e dinë  që më shumë se 56% e votuesve të përshtirosur nga era e vjetërsisë së tezave dhe paditursë së individëve që i përfaqësojnë do t’i abandonojnë zgjedhjet. Në këto kushte një diferencë me 10 vota, të sjellë në pushtet. Kjo “reformë” në kohë ndryshimesh ekonomike botërore është pranim i hapur që sërisht pushtetin e kërkojnë të njëjtit njerëz që kanë treguar që nuk dinë c’të bëjnë me të.

Mjelma e zezë e Covid -19 ka nxjerrë në pah atë që nuk dini të bëni apo të dembelosur e të vetkënaqur nuk doni ta bëni, ekonominë. Eshtë ekonomia që i nxjerr njerezit nga shtëpia edhe i çon drejt kutive të votimit. Janë skuadrat që promovoni dhe përdorni ato që ushqejnë shpresën për të mos abandonuar  kutinë e votimit edhe më pas vendin. Në kushtet e pasigurisë të shtuar për shkak të pandemisë shqiptarët kanë nevojë përfaqësohen dhe të dëgjojnë si do të rritet produktiviteti, punësimi, konkurrueshmëria, si do të mbështeten startup-et apo si do të zgjerohen investimet. Shqiptarët sot duan të dëgjojnë të flitet për punësimin cilësor, teknologji,  për politikat aktive të tregut të punës dhe programet e zhvillimit të fuqisë punëtore.

Nëse vazhdoni të mendoni se edhe në kohë Covid-i është reforma e kamerave ,  e rradhës burrë grua,  apo e përrallave të tjera të treguara me ligj që do të shpëtojnë sistemin zgjedhor nga ngërci, ju jeni veç të marrë, e ne jemi ca fatkeq. Mbase ju do t’i shpëtoni disa vota nga manipulimi apo fjala bombastike “ Krim zgjedhor”, por nuk do të ktheni dot në kutitë e votimit shumicën e  shqiptarëve.


Copyright © Gazeta “Si”