Dosje

VIDEO/ Jeta luksoze e ‘Tajsonit’ shqiptar në Peru, trafikantit të kartelit ballkanik që u kap me 2.3 tonë kokainë

Gazeta Si - Trafiku i kokainës nga Amerika Latine, përmes Perusë dhe jo vetëm, kontrollohej dhe drejtohej nga shqiptarët, ku njëri prej tyre, Klajdi Gjoci, u arrestua pak ditë më parë me një italian të klanit mafioz “Ndragheta”.

Mediat peruane, kanë publikuar pamje të arrestimit të vilës luksoze ku qëndronte 28-vjeçari dhe Pasquale Bifulco.

LEXO EDHE:
- Shqiptarët po "braktisin" Ekuadorin, historia e dy bosëve "Barbas" dhe "Pelados" që hynë në Peru si turistë për të trafikuar 2.2 tonë kokainë
- Si u ndoqën në 24 orë, video e përgjimeve të dy bosëve shqiptarë të drogës në Peru: Mafie e fuqishme!

Siç shihet në videon e mëposhtme, Gjoci jetonte në një rezidencë luksoze në Casuarinas, i etiketuar si një nga anëtarët e mafies ndërkombëtare të trafikut të drogës.

Në këtë godinë që kishte kopshte të mëdha, pishinë, palestër dhe komoditete të ndryshme, policia kërkonte një subjekt që njihej me pseudonimin “Tajson” për shkak të ngjashmërisë fizike me boksierin e famshëm amerikan.

Dhe pikërisht “Tajsoni” ishte Klajdi Gjoci, sipas policisë, ai ishte furnizuesi i drogës i organizatës shqiptare dhe italiane që kontrollon trafikun e paligjshëm të hidroklorurit të kokainës drejt Europës.

I riu shqiptar, thuhet se i përket kartelit ballkanik të trafikut të lëndëve të forta narkotike dhe arrestimi i tij ndodhi në këtë godinë në Surquillo.

Aty pranë, në Miraflores, agjentët e policisë arrestuan edhe Pasquale Bifulcon, italiani i cili është pjesë e mafies së rrezikshme “Ndrangeta”, e famshme për kontrollin e 80% të trafikut të kokainës në Evropë.

Tetë vjet më parë, ai u arrestua në San Isidro pas një urdhër-arresti ndërkombëtar për dërgimin e një ngarkese droge në Itali.

Kontaktet e operacionit të fundit të bandës italo-shqiptare ishin aq të sakta dhe efektive sa lejuan që dy tonë e gjysmë drogë të çoheshin nga Peruja në portin e Hamburgut në Gjermani. Ajo që trafikantët nuk dinin, ishte se policia po e vëzhgonte këtë ngarkesë.

Në qershor të këtij viti, dy shqiptarë, Franc Malo dhe Gentjan Meta, të cilët njiheshin edhe me pseudeonimet, “Barbas” dhe “Pelado”, janë shpallur në kërkim nga autoritetet peruane për transportimin e 2.2 tonë kokainë drejt Europës.

Operacioni i DEA-s dhe policisë peruane është kryer njëkohësisht me Gjermaninë, ku ka rënë një shtetas turko-gjerman, i cili do të ishte përgjegjës për marrjen e mallit

Tregu i kokainës dhe metamfetaminës ka parë një rritje të madhe në Evropë, e nxitur nga nivelet rekord të trafikut, sipas një studimi të publikuar së fundmi nga agjencitë evropiane.

Sipas Interpolit dhe Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësitë (Emcdda), sasi të paprecedentë kokaine u kapën në vitin 2020 dhe Evropa “përballet me një kërcënim në rritje nga një treg më i larmishëm dhe dinamik i drogës”.

Për sa i përket kokainës, hetimet tregojnë se një pjesë e rëndësishme vazhdon të prodhohet në Kolumbi, Bolivi dhe Peru, por që rrjetet diversifikojnë përdorimin e porteve në kontinentin amerikan dhe Afrikën e Veriut në përpjekjet e tyre për të çuar drogën në Evropë. Më shumë se 214 tonë kokainë u kapën në Evropë në vitin 2020, 6% më shumë se një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë