Ana e errët

‘Jeni në gjak me mua…’ Dhëndri gjobit krushqit dhe ish-nusen. Në 2007-ën kishte vrarë gruan

Gazeta Si - Duhet të kishte qenë dita me e lumtur e saj, momenti kur mjekët i dhanë përgjigjjen se ishte shtatzënë dhe se do të bëhej nënë.

Në fillim, i fejuari i saj u tregua entuziast. Por të nesmen për të nisi terrori. Ai filloi me dyshimet dhe dhunën, duke e akuzuar se fëmija nuk ishte i tij, e çoi tek prindërit e saj dhe pasi piu kafe tha: “Vajzën ua kam lënë. Me keni gjak borxh, do shkojë gjaku në gju. Më keni borxh të gjitha shpenzimet”.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Kamzës dhe i riu dhunues, një ish i burgosur për një akuzë të rëndë, përfundoi sërish në qeli.

Denoncimet ndaj tij ishi familjarisht, nga i ati, nëna, dhe vajza. Të frikësuar dhe pasi nuk po gjenin më para që t’i lanin borxhin, teksa ish-dhëndri trokiste për paratë, ata shkuan në polici.

Historia iu tregua Gazetasi.al nga burime policore që dhanë detaje në kushtet e anonimitetit dhe që treguan se policia shkoi në banesën e vajzës menjëherë mbasi dikush telefonoi në sallën operative dhe tregoi se ish-dhëndri kishte shkuar për marrë sërish para dhe po kërcënonte.

Dëshmitë e familjes së terrorizuar ishin aq bindëse për policinë, sa nuk priti gjatë, por menjëherë i hodhi prangat.

“I fejuari gjatë bashkëjetesës më ka trajtuar si skllave, kërkonte që unë t’i hiqja e ti vishja çorapet, mëngjesin kafen drekën e kërkonte t’ja çoja tek krevati. S’më ka lejuar në asnjë moment të qëndroj vetëm, por linte si roje të ëmën, e cila kishte frikë  prej tij”, - shprehet 33-vjeçarja ndaj shtetasit D.H.

Pas shqetësimeve shëndetësore, ajo komunikoi me vjehrrën, thotë policia për Gazetasi.al.

E moshuara, pasi mori leje u nis për në spital, ku në farmaci i dhanë një test shtatzënie.

“Dola pozitive dhe njoftova të fejuarin. E priti shumë mirë dhe organizoi drekë familjare, ku ishin të ftuara të dyja familjet tona. Pas kësaj, bëmë eko barku dhe disa analiza. Të nesërmen D., kishte komunikuar me spitalin, por mua s’më tha gjë”, - është shprehur për policinë vajza e re.

Burimet e policisë bëjnë me dije se fjalia e parë të nesërmen ishte: “Më ke hyrë në gjak”.

Vajzën e ka mbyllur në shtëpi dhe kur familja tentonte të komunikonte në telefon, ai iu përgjigjej se ishte e sëmurë. 

Duke i ndërprerë çdo komunikim dhe kur ajo i është lutur që të mësojë se çfarë kishte ndodhur, ai e ka goditur me grushte në fytyrë dhe kokë.

Ndërkohë që vjehrra nuk ka dhënë asnjë shpjegim. E ndodhur në këto kushte, e reja ka kapërcyer murin dhe është arratisur, duke u kthyer tek prindërit, ku dhe u ka treguar se çfarë i kishte ndodhur.

Një orë më vonë, në shtëpinë e krushqve ka mbërritur dhëndri. Fillimisht e ka pyetur 33-vjeçaren nëse i kishte menduar gjërat mirë?

Më pas, i ka deklaruar kryefamiljarit:  “Unë dua kokë njeriu, do ta çoj gjakun në gju, pasi vajza juaj më ka ikur nga shtëpia”.

Prindërit e të resë, sipas policies, kanë kërkuar shpjegime se çfarë kishte ndodhur dhe në këtë çast, i dyshuari ka shpërthyer, duke pretenduar se fëmija nuk ishte i tij.

“Pasi u qetësua, kërkoi t’i bënim një kafe. Pasi motra ia bëri kafenë, ai hoqi unazën dhe la një katrmonedhë 10 mijë lekëshe në tavolinë dhe tha: ‘Gocën ua kam lënë’. Kur u nis për të ikur, më tha se këkronte kthimin mbrapsht të të gjitha shpenzimeve, gati 4 mijë euro. I thashë që nuk kishim kaq para, por ai kërkoi t’i gjenim borxh”, - kujton në polici nëna e 33-vjeçares .

Bisedat e dhëndrrit me vjehrrën kanë vazhduar më tej në telefon, ku ai kërkonte vazhdimisht paratë, duke e kërcënuar se nëse nuk i plotësonin, “do ta bënte shtëpinë me gjak”.

Si fillim, familja e të resë ka siguruar vetëm 1.850 euro. Të tjera nuk u jepte askush, as në formën e borxhit dhe as ndryshe.

“Nëse nuk më jepni paratë, do bëj të flasin mediat botërore, nuk e mbaj unë kopilin tuaj”, - tha në një nga rastet kërcënuese, shton kryefamiljari, të cilit i erdhi sërish për vizitë ish-dhëndri, duke e kanosur dhe duke pretenduar se e kishte me nxitim, pasi do largohej jashtë vendit.

“Policinë e telefonova unë, ish i fejuari ka qenë në burg për 13 vjet, pasi ka vrarë ish-bashkëshorten. Dhe ndihem kaq e frikësuar. Ai na kërcënon dhe pretendon që fëmija nuk është i tiji. Asnjëherë s’më ka lënë vetëm, ose me të ëmën, ose më shoqëronte me një djalë që nuk e njihja. Ndihemi të terrorizuar”, - deklaroi më pas në polici e reja.

Policia e Kamzës, i tha eksluzivisht Gazetasi.al, se e arrestoi në flagrancë shtetasin D.H., që ende nuk ka dhënë një deklaratë apo pretendim të tij.

I riu nga Dibra, sipas burimeve të policies, është personi që vrau me thikë bashkëshorten e tij gjatë vitit 2007.

Ai ishte martuar me mblesëri dhe kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni.

Ndonëse u shpreh i penduar në atë kohë, duke shtuar se nuk u përmbajt dot dhe se nuk e shpjegonte dot krimin e kryer prej tij, gjykata e shpalli fajtor për vrasje.

Ai qëndroi në qeli me një personazh të njohur të botës së krimit dhe mbetet e paqartë se përse nuk kreu 25 vite burgim, aq sa gjykata e kishte dënuar për vrasje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë