Drejtësia

Ja qytetet ku bëjnë ‘ligjin’ grupet kriminale, Dumani: Menaxhojnë edhe Call Center-at

Gazeta Si - Një vend të veçantë në raportin vjetor të SPAK, zë edhe krimi i organizuar, i cili së fundmi është goditur pas operacionit ‘Revanshi”.

Para Komisionit të Ligjeve, Altin Dumani, ka evidentuar se grupet kriminale shqiptare në vend janë sofistikuar dhe e kanë shtrirë aktivitetin ndërkombëtarisht.

Në fjalën e tij, kreu i SPAK theksoi se grupet shqiptare të përfshira në trafikun e drogës, kanë pozicione dominuese në vendet e origjinës, përfshirë edhe ato në Amerikën Latine.

Dumani shtoi se grupet kriminale menaxhojnë kompani “Call Center”-ash, duke u shkaktuar njerëzve një dëm prej miliona eurosh.

“Duhet cilësuar si shqetësim veprimtaria e sofistikuar e grupeve kriminale, duke vepruar me Call Center. Aktiviteti i tyre kriminal, dëmi shaktohet në miliona euro”.

Dumani ka treguar edhe disa prej veçorive të grupeve kriminale shqiptare, ku janë të përfshira edhe femrat.

“Disa prej veçorive janë anëtarët prej 20-25 persona, aktiviteti polikriminal, dhuna për kontroll territori, përfshirja e femrave në pozicione dytësore, vrasje të sofistikuara me pagesë, komunikimet e koduara, dhe konvertimi i parave në kriptovaluta”.

Drejtuesi i SPAK theksoi se grupet kriminale veprojnë në 9 qytetet në Shqipëri.

Ndërsa pastrimi i parave bëhet kryesisht në kryeqytet dhe zonat bregdetare, por në qytetet e tjera janë të përfshira në trafikun e drogës dhe krime të tjera.

“Tregjet kriminale në Shqipëri paraqesin situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tiranë Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë-Kruja. Në Tiranë dhe qytetet bregdetare, grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, ndërsa trafiku i narkotikëve është shfaqur problematik në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është i evidentuar në Durrës, Shkodër, Laç dhe Fushë-Krujë. Vrasjet dhe tentativat për vrasje janë të shpeshta në Durrës, Fushë-Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan”.

Duke u ndalur te zona problematike e Fushë-Krujës, Dumani tha se “është e pranishme tregtia e armëve, lëndëve shpërthyese si dhe makinat e vjedhura të cilat pastaj përdoren në ngjarje kriminale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë