Ngjarje

Italianët ulin numrin e deputetëve: Kursejmë 1 mld euro në 10 vite

Parlamenti italian votoi në favor të reduktimit të numrit të deputetëve në të dyja dhomat e tij. Propozimi redukton dhomën e ulët nga 630 deputetë që ka aktualisht në 400 dhe senatin nga 315 në 200 anëtarë.

Reforma është një premtim i Lëvizjes 5 Yjet, që deklaron se reduktimi i numrave e bën parlamentin më funksional dhe për më tepër u kursen taksapaguesve italianë miliona euro rroga dhe shpenzimet në formën e dietave.

Megjithatë, kritikët thonë se ulja e numrit të deputetëve dhe senatorëve dobëson demokracinë dhe rrit ndikimin e lobistëve. Ligji i ri me gjasë do të kalojë për miratim në referendum popullor, pasi kërkon ndryshime kushtetuese.

Lëvizja 5 Yjet mendon se me këtë vendim do të kursehen të paktën 1 miliardë euro në dhjetë vitet e ardhshme. “Pas 3 dekadash premtimi të pambajtur ulja e numrit të deputetëve dhe senatorëve është realitet. Një epokë e re politike po fillon dhe tani qytetarët janë në qendër të vëmendjes”, deklaroi Shefi i Kabinetit të Qeverisë italiane, Ricardo Fraçaro.

Agjencia e lajmeve AGI, në një analizë të saj ka përllogaritur se një deputet i kushton buxhetit të shtetit mesatarisht 230 mijë euro në vit, ndërsa një senator 249 mijë euro. Sipas përllogaritjeve të kësaj agjencie shkurtimet në këto shifra do t’u kursejnë italianëve rreth 81.5 mln euro në vit.

Diskutime për shkurtimin e numri të deputetëve ka patur hera-herës edhe në Shqipëri. Një propozim është reduktimi nga 140 në 100 deputetë të Parlamentit. Por sa para kursehen në këtë rast. Sipas një përllogaritjeje të bërë në 2015, duke përfshirë pagën, dietat, pagesën e qirave dhe angazhimet nëpër komisionet parlamentar, një deputet u kushton taksapaguesve shqiptarë rreth 3 milionë lekë në muaj. Nëse numri i tyre shkurtohet me 40, atëherë bëhet fjalë për 120 milionë lekë (të vjetra), që kursehen çdo muaj, ose rreth 1.4 miliard lek në vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë