Presidenti i Lega Serie A, Luigi De Siervo, zbuloi planin për të futur sistemet e njohjes së fytyrës në të gjitha klubet e ligave më të larta në mënyrë që të luftohet racizmi në futboll.
Serie A është detyruar të dalë me një përgjigje pasi portieri i Milanit, Mike Maignan u keqtrajtua në mënyrë racore në pjesën e parë të ndeshjes në shtëpinë e Udineses në fundjavë. Ai u largua për pak kohë nga fusha dhe më vonë shkroi një status duke i bërë thirrje ‘të gjithë sistemit të marrë përgjegjësinë’.
Maignan mori mbështetje të gjerë nga bota e futbollit dhe incidenti ndezi sërish polemikat në lidhje me masat e pamjaftueshme për të luftuar racizmin në futboll, duke bërë që autoritetet në Itali të fillojnë të kërkojnë zgjidhje.
LEXO EDHE:
Reagime të forta për koret raciste ndaj Maignan, në Udine nis hetimi për autorët
Duke folur për Corriere della Sera, De Siervo diskutoi planet e Serie A për të luftuar racizmin në futboll.
“Plani është që të pajisen stadiumet e të gjitha skuadrave të regjistruara në Serie A me sisteme mbikëqyrjeje me video të aftë për të skanuar fytyrat e atyre që hyjnë në stadium në hyrje, duke i lidhur me të dhënat personale të pranishme në bileta, në mënyrë që të gjurmohen menjëherë për identitetin e tifozëve”.
“Pavarësisht krizës ekonomike si pasojë e COVID-it, mungesës së vullnetit të lojtarëve për të ulur qoftë edhe pjesërisht pagat e tyre, shpresoj se do të mund të investojmë në këtë teknologji. Kostot janë të konsiderueshme, por shpresa është që të aprovojmë projektin deri në fund të këtij sezoni”, ka thënë De Siervo.
Racizmi ka vazhduar të jetë një problem në futbollin italian vitet e fundit dhe si Lega Serie A ashtu edhe FIGC janë kritikuar ashpër për përgjigjet e tyre përgjithësisht të dobëta dhe të pamjaftueshme. /Telegrafi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




