Ngjarje

Itali, vritet me plumb në kokë 35-vjeçarja shqiptare në mes të rrugës. Policia në kërkim të burrit

Gazeta Si - Një 35-vjeçare shqiptare u vra në mes të rrugës me një plumb në kokë në Itali nga bashkëshorti i saj po shqiptar, teksa po kthehej nga puna në shtëpi.

Viktima është Klodiana Vefa, me leje qëndrimi të rregullt. Vrasja ndodhi mbrëmjen e së enjtes në një rrugë periferike të Castelfiorentino-s në Firence dhe më saktë në “via Galvani”, pak pas orës 20:00. Sipas mediave italiane, mes çiftit ka pasur mosmarrëveshje, ndoshta për shkak të xhelozisë së burrit.

Alarmi u dha fillimisht nga disa banorë të zonës, të cilët kanë dëgjuar krismën e një arme. Pak minuta më vonë, një ambulancë e 118 mbërriti në vend: me gjithë përpjekjet e bëra për ta ringjallur, mjekët nuk mundën të bënin gjë tjetër veçse konfirmonin vdekjen e saj.

Sipas një rikonstruksioni fillestar nga hetuesit, burri po priste gruan në rrugë. Nuk dihet nëse ka pasur një debat mes gruas dhe vrasësit të saj para ngjarjes së rëndë.

Fakti është se shqiptari nxori një armë dhe qëlloi një plumb në kokë. Një ekzekutim në stilin e vërtetë, sipas të paktën burimeve të para të policisë në Firence, që tashmë janë në kërkim të autorit, i cili është i pagjurmueshëm dhe nuk jetonte më me viktimën.

Agjentët kanë marrë në pyetje edhe dy fëmijët e Klodianës: njëri prej të dyve, me sa duket u tregoi hetuesve disa debate që kishin ndodhur mes nënës dhe babait në të kaluarën.

Megjithatë, nuk ka asnjë denoncim nga gruaja në arkivin e stacionit Castelfiorentino dhe as ndërhyrje për debate hipotetike brenda shtëpisë.

Policia vendosi postblloqe përgjatë rrugëve ku dyshohet se ka marrë drejtimin pas arratisë. Karabinierët kanë kontrolluar edhe shtëpitë e braktisura, deri tani pa asnjë sukses. Klodiana Vefa punonte si kameriere në një piceri dhe ishte integruar në komunitetin e Castelfiorentinos.

Gruaja u vra disa dhjetëra metra larg shtëpisë ku jetonte me fëmijët e saj. Këta të fundit, i vëllai i viktimës dhe të afërm të tjerë të 35-vjeçares janë nisur drejt “Via Galvanit”, pasi në Castelfiorentino jetojnë shumë shqiptarë.

Në vendngjarje, karabinierët gjetën në tokë dy gëzhoja që kishin shpërthyer nga një armë. Inspektimi i përpiktë i zonës ka vijuar gjatë gjithë natës. Megjithatë, arma nuk u gjet: atë e mori vrasësi, i cili iku me makinë, raportojnë mediat italiane.

"Është një moment heshtjeje: ne duhet të mblidhemi rreth një familjeje të prekur nga një ngjarje e tmerrshme", tha kryebashkiaku i Castelfiorentino Alessio Falorni, ndër të parët që mbërriti në vendngjarje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë