Ngjarje

Itali, fadromat shembin vilat e klanit mafioz “Casamonica”

Policia italiane ka nisur një mega-operacion policor  për goditjen e klanit mafioz “Casamonica” në Romë, ndaj të cilit ka nisur sot aksionin për shkatërrimin e 8 vila luksoze në periferinë lindore të kryeqytetit, të ngritura në mënyrë të paligjshme. “Casamonica” është organizatë kriminale që ka vepruar prej vitesh në Romë.

Pas njoftimit nga kryebashkiakja e Romës, Virginia Raggi, e cila ishte e pranishme në vendngjarje, qindra forca policie ndërhynë duke nxjerrë nga shtëpitë përrallore rreth 35-40 persona, duke përfshirë disa të mitur.

Kryebashkiakja Raggi ishte e pranishme në operacionet e dëbimit ditën e djeshme dhe të shkatërrimit sot, duke u ofenduar nga disa banorë të shtëpive të paligjshme. “Ku do të shkojmë? Do të shkojmë të flemë në shtëpinë e Raggi-t dhe Salvinit (ministri i Brendshëm). Ne jemi italianë prej 7 brezash”, - ka thënë një nga anëtarët e klanit.

"Ndihmoni të huajt dhe ne italianët jo?", shtoi një grua e vjetër e familjes nomade, duke marrë pakot dhe bagazhet nga shtëpiae saj. Dhe Nando Casamonica thotë: "Ata shembën poshtë shtëpitë tona?Mirë, por pastaj duhet të prishin gjithë Ischian”.

"Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë ta kthejmë këtë territor tek qytetarët, ndër të tjera, ju keni parë se shtëpitë janë ndërtuar jo në përputhje me ligjin, kështu që ato janë absolutisht abuzive. Shumë na pyesin nëse mund të mbahen dhe të destinuara për diçka tjetër : nuk ka nevojë, do të shkatërrohen”, - përgjigjet në mënyrë kryetarja e Bashkisë së Romës, Virginia Raggi.

Ndërkohë, brenda vilave kishte tavane të pikturuara, perdeari, dy statuja tigri dhe një kalë të veshur në ar, por edhe drogë. “Në vila gjetëm orendi të kushtueshme, shumë luksoze”, tha Di Maggio.

Operacioni për prishjen e vilave luksoze do të zgjasë një muaj dhe fillimisht do të ketë një fazë çlirimi dhe heqje të mallrave shtëpiake. Pastaj çdo pronë do të bëhet e papërdorshme me një prishje të shënjestruar. Zona ku janë ndërtuar vilat është subjekt i kufizimeve arkeologjike, peizazhore dhe hekurudhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë