Ngjarje

Itali, dy iranianë kapen me 30 doza “AstraZeneca” të fshehura në anijen drejt Shqipërisë

Autoritetet doganore italiane të Guardia di Finanzas,  kanë sekuestruar 3 flakonë të vaksinës anti-Covid “AstraZeneca”, të cilat po transportoheshin në mënyrë të paligjshme nga Italia drejt Shqipërisë.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane, të cilat zbulojnë se autoritetet doganore, i kanë konfiskuar ato dirë ditë më parë në datën 5 maj.

“Dy shoferë gjermanë kamionësh, me origjinë iraniane, 70-vjeçari Abdolrahim Orangui Asr dhe 73-vjeçari Ghassem Farhadi, ishin gati të nisnin vaksinat nga porti i Barit, përmes një anije për në Shqipëri”, - raporton agjencia italiane e lajmeve “Ansa”.

Në një çantë frigoriferi me pije freskuese të mbushur me akull, ata kishin futur edhe tre shishka të vaksinave të padëmtuara  të kompanisë “AstraZeneca”. Prokuroria e Barit, kërkoi dhe mori vërtetimin e konfiskimit dhe tani po heton për të vërtetuar se çfarë ka ndodhur.

Kush ishin porositësit e vaksinës? Kush mundësoi marrjen e tyre? Pse po mbërrinin në Shqipëri transportuar nga shtetas me origjinë iraniane? Këto pyetje priten të marrin përgjigje nga hetuesit italianë.

Nga numri i grupeve të tre ampulave, Prokuroria do të përpiqet të rindërtojë origjinën e vaksinës, teksa po gjurmohet se nga kanë ardhur.

Sipas “ANSA”-s, dy të dyshuarit u kontrolluan ndërsa hipnin në anijen motorike “Aurelia” për në Shqipëri.

Në një qese me pije freskuese, "e fshehur mirë nën akull", siç lexohet në proces-verbalin e konfiskimit, u gjetën në tre shishe qelqi "që mbanin etiketa me fjalët" vaksina “AstraZeneca” 5ml.

“Të gjitha mbanin të njëjtin numër ABW 330", i cili skadon në korrik 2021 dhe ishte ekuivalente në 30 doza vaksinash.

Ndërkohë, të dy shoferët e kamionëve janë lënë të lirë, por të dy do të procedohen penalisht për transport të pajisjeve dhe mallrave të vjedhura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë