Ka ndodhur

Itali, 48-vjeçari shqiptar qëllohet me armë zjarri. I vëllai ndoqi me vrap autorin

Një 48-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Rexhep Uba, është qëlluar me armë zjarri në Torino të Italisë. Sipas mediave italiane, gjendja shëndetësore e shqiptarit paraqitet e rënduar, pasi ka marrë dy plumba pistolete në gjoks dhe një në bark.

Një efektiv policie që shkoi në zonë, i dha ndihmën e parë të plagosurit. Ndërsa autori që u largua nga vendngjarja, u ndoq nga i vëllai i 48-vjeçarit, por pa mundur ta arrijë.

Ai ka qenë brenda makinës tip “Fiat Panda” të parkuar në anë të rrugës duke pritur vëllain. Kur pa se 48-vjeçari u qëllua me armë, vëllai i Ubës doli nga mjeti dhe ndoqi me vrap autorin, por nuk mundi ta kapte. Ngjarja është akoma e paqartë dhe gjithçka mund të ketë ndodhur për motive banale.

Ashtu siç ka konfirmuar edhe vëllai i të plagosurit, i cili ka thënë se para krimit ka pasur një “sherr të rastësishëm në rrugë”.

Por mediat lokale njoftojnë se deklarata e të vëllait të plagosurit, mund të jetë e rreme, nisur nga e kaluara e Rexhep Ubës.

Mediet italiane bëjnë me dije se Uba ka qenë përfshirë në një rrjet për trafikim të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë vite më parë.

Ai u arrestua së bashku me persona të tjerë gjatë një operacioni që çoi në sekuestrimin e tonelatave të drogës të transportuara me kamion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë