Ngjarje

Ismail Kadare, ndër shqiptarët e pakët me tre shtetësi (Shqipëria dhe Franca e lejojnë)

Presidenca e Kosovës njoftoi të martën se shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani nënshkroi dekretin e nënshtetësisë për Kadarenë, dhe ai do t'i dorëzohet autorit gjatë një vizite të saj në Shqipëri në një periudhë të afërt.

Për shkrimtarin Ismail Kadare kjo është shtetësia e tretë.

Ndaj dhe për shumëkënd lind pyetja nëse Kadareja është detyruar të heqë dorë nga një prej dy shtetësive qe ka, për të marrë atë të Kosovës.

Kadare aktualisht mban shtetësinë shqiptare dhe atë franceze.

Sipas rregullave të shtetësisë franceze, Franca është vend që aplikon shtetësinë e shumëfishtë që do të thotë se për këtë vend nuk ekziston pengesa e një shtetësie të tretë. Edhe Kosova po ashtu, nga një vështrim i shkurtër i ligjit për shtetësinë, ruan të njëjtin standard.

Pyetja lind nëse edhe Shqipëria lejon shtetësinë e shumëfishte, tre apo dy shtetësinë. Duke qenë se ligji për shtetësinë, ai vitit 2020 në të cilin bazohet si Presidenti kur firmos dekretet për shtetësinë ashtu edhe Ministria e Brendshme kur përgatit dosjen për secilin të interesuar e lë të papërcaktuar, Gazeta “Si” iu drejtua një juristi të pavarur dhe një deputeti të komisionit të Ligjeve. Të dy zërat konfirmuan se shteti shqiptar lejon tre shtetësinë në rastet kur vendi i tretë nuk e ndalon apo ka rregulla më të forta kufizimi për numrin e shtetësisë sic është psh Gjermania apo  Austria.

Në rastin e Kosovës ky numër nuk përben pengesë e po aq sipas juristëve edhe për ligjet e shtetit shqiptar.

Ndaj dhe me firmosjen e dekretit nga Presidentja e Kosovës, shkrimtari i njohur Ismail Kadare do të jetë qytetar me tre shtetësi, pa iu dashur të vihet para zgjedhjes nëse duhet të hiqte dorë nga ajo franceze apo shqiptare për të kënaqur vëllezërit fqinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë