Ngjarje

Ishte pezulluar nga puna pas dënimit për plagosjen e fqinjit, vetëvritet në zyrë oficeri i policisë së Durrësit

Gazeta Si - Një oficer policie në Durrës i ka dhënë fund jetës pasditen e kësaj të enjteje, pak pasi i ishte komunikuar shkarkimi nga detyra pas dënimit nga gjykata për plagosjen e lehtë të fqinjit para dy vjetësh për një konflikt për parkimin e makinës.

Viktima është Arben Pjeçi 57 vjeç, baba i dy fëmijëve, me një karrierë 35-vjeçare si efektiv policie, i cili i dha fund jetës me armën e shërbimit në zyrën e tij.

Mesohet se Pjeçi prej disa ditësh ishte në gjendje të rënduar psikologjike, pasi ishte pezulluar nga detyra për një afat të shkurtër kohor.

Polici i vetëvrarë, Arben Pjeçi

Ai akuzohet për një ngjarje që ka ndodhur mes tij dhe fqinjit të tij, ku në konflikt e sipër e ka plagosur. Sipas gjykatës, sherri mes tyre ka ndodhur për vendin e parkimit, i cili degradoi në dhunë fizike, pasi njëri prej tyre parkoi duke zënë rrugën në pallatin ku jetonin.

Ka qenë kjo arsyeja pse Pjeçi është hetuar, proceduar, gjykuar më pas nga ana e Gjykatës së Durrësit, e cila ka kërkuar pezullimin e tij nga detyra.

Sipas policisë, rreth orës 16:15, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është hapur me forcë zyra e oficerit Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi, i cili është gjetur i vetëvrarë me armën e shërbimit.

Pjeçi ishte  dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me punë në komunitet për plagosje të lehtë pas një sherri me fqinjin e tij dy vjet më parë.

Përmes një komunikate zyrtare, Policia e Durrësit sqaron se efektivi, me detyrë specialist i Policisë Kriminale kishte ndërprerë marrëdhëniet me familjarët dhe ishin këta të fundit që bënë kallëzim në polici për ta kërkuar.

Me anë të gjurmimit përmes numrit të celularit, polici Arben Pjeçi u lokalizua brenda zyrës së tij, ku u gjet i vetëvrarë. Siç sqaron Policia e Durrësit, dera u hap me forcë, pasi ishte mbyllur nga brenda.

Vendimi i Gjykatës i formës së prerë ka filluar të ekzekutohet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit.

"Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, - thotë policia, - është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës".

Pista e vetme që po heton policia deri në këto momente është ajo e vetëvrasjes duke i referuar pozicionit që është gjetur trupi i të ndjerit në ambientet e punës.

Një grup hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa është njoftuar dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë