Shqipëria vijon të jetë e paprekur nga koronavirusi. Kështu deklaroi përfaqësuesja e Task-Forcës së ngritur nga Ministria e Shëndetësisë për COVID-19, Eugena Tomini, e cila theksoi se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 3 raste të dyshuar, të cilët kanë rezultuar të gjitha negative.
Tomini tha se deri më tani janë 53 raste të testuara në total, ku të gjitha kanë rezultuar negative.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 3 raste të reja në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP nga ku në total numri i rasteve të testuara ka shkuar në 53. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID 19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit te ri”, tha Tomini.
Më tej, Tomini tha se po kryhet survejanca e përforcuar në pikat kufitare, ajrore, detare dhe tokësore, duke kryer monitorimin e temperaturës për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Shqipëri.
“ Në 24 orët e fundit në të gjitha pikat kufitare në total kanë hyrë 17,770 udhëtarë, të cilët janë vlerësuar, mbështetur në survejancën e përforcuar për monitorimin e temperaturës”, tha përfaqësuesja e Task-Forcës.
Ajo ka theksuar se në 24 orët e fundit në nr. 127 ka pasur 1539 thirrje, nga të cilat 38 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksione virale respiratore dhe histori udhëtimi me Italinë.
Po ashtu, rekomandon për qytetarët që kanë udhëtuar nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë pasur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhe 14-ditore.
Gjatë konferencës, Eugena Tomini, u pyet edhe rreth faktit që drejtoresha e qendrës shëndetësore numër 8 i shprehej personelit për mungesë të dorezave dhe dezinfektantëve.
Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik tha se janë shpërndarë 1.2 milionë maska shëndetësore dhe nuk ka mungesë. “Ky element është i disponueshëm në të gjithë qendrat dhe spitalet”, u shpreh Tomini.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




