Gazeta Si - Ish-shefi i krimeve të Komisariatit nr. 6, Dedan Gjoni, i arrestuar para një muaji me urdhër të SPAK, i akuzuar për sigurim të kushteve për të kryer vrasje, dyshohet të jetë i përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale.
Burime paraprake shprehen se hetuesit kanë arritur të gjejnë prova se Gjoni ka marrë pjesë në një tjetër vrasje të mbetur në tentativë.
Gjatë kohës që ish-polici ka qenë me detyrë më Komisariatin e Shijakut, dyshohet se ka bashkëpunuar me një grup kriminal për të vrarë një person. Nga provat e mbledhura deri tani, urdhri i krimit është dhënë nga Holanda.
Nga hetimet, del se ish-efektivi ka thirrur në komisariat objektivin, u ka thënë autorëve që çfarë ore do e lironte, si dhe u ka nisur foto të tij. Por autorët më pas janë tërhequr dhe vrasja e mundshme është shmangur.
Gjoni u arrestua një muaj më parë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pasi ishte pjesë e një grupi kriminal, bashkë me ish-Drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.
Nga përgjimet e çkodifikuara të aplikacioneve SKY dhe Encro Chat, Gjoni siguronte informacione për atentate të menduara nga personazhe të botës së krimit duke përdorur detyrën e tij.
Më herët, SPAK ka vënë në sitë edhe pasuritë e disa zyrtarëve të tjerë të Policisë së Shtetit dhe policisë lokale, të cilët shfaqen në komunikimet e aplikacionit “SKY ECC”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.