Politike

Ish-ministrja e Financave Anila Denaj paraqitet në SPAK për koncesionin e sterilizimit

Gazeta Si - Ish-ministrja e Financave dhe deputetja e Partisë Socialiste, Anila Denaj është paraqitur mëngjesin e kësaj të premteje në SPAK.

Ajo u pyet për çështjen e koncesionit të sterilizimit, një tjetër dosje që po hetohet nga SPAK.

Denaj është marrë në cilësinë personit që ka dijeni si institucioni që ka lëshuar fondin për mbarëvajtjen dhe për futjen në funksion të procesit të sterilizimit.

Në një komunikim me gazetarët, pasi doli nga SPAK, Denaj edhe pse nuk dha detaje theksoi se është pyetur në lidhje me informacion për periudhën ku ka qenë Drejtoreshë e Shërbimeve mbështetëse në Ministrinë e Financave.

“Isha për informacion që kam dijeni gjatë kohës që kam qenë drejtoreshë e Shërbimeve mbështetëse në Ministrinë e Financave që ky koncension ka qenë në diskutim”, ka thënë ajo.

Më herët për këtë çështje është pyetur edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Anila Denaj ka shërbyer si ministre e Financave nga janari 2019, deri në shtator të vitit 2021. Aktualisht ajo është deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës.

Prej kohësh, prokurorët e SPAK e kanë cilësuar koncesionin e sterilizimit, si një nga çështjet më të nxehta, të cilave u duhet dhënë një zgjidhje.

Në 18 korrik të vitit të shkuar, ishte ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ai që ngjiti shkallët e SPAK-ut për t’u pyetur për koncesionin e sterilizimit.

Gjatë kohës që ai drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë, ka firmosur privatizimin e sterilizimit, hemodializës dhe kontrollit të detyrueshëm shëndetësor (check-up). Këto koncesione janë kontestuar në publik për shkak se dyshohet se janë fituar në mënyra të parregullta.

Ishte Nisma “Thurje” që ngriti një pasi ndaj ish-ministrit Beqja dhe 11 zyrtarëve të tjerë të ministrisë së Shëndetësisë.

Më herët, ishte ish-zëvendësministri Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj ai që dëshmoi për të dytën herë në SPAK.

Hetimet e SPAK që zgjasin prej 3 vitesh e gjysmë, hedhin dyshime se koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin. Në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës kreu një hetim mbi këtë koncesion, por pushoi hetimet.

Vetëm tenderi i sterilizimit të pajisjeve mjekësore, ka një kontratë prej 12.3 miliardë lekëve, ndërsa Check Up shkon në rreth 8.7 miliardë lekë.

Në akuzat e kallëzuesve, thuhet se ky koncesion është i panevojshëm, duke hedhur dyshime për abuzime të ndryshme financiare.

SPAK po zhvillon hetime edhe për tenderë të tjerë, të cilë dyshohet se kanë natyrë korruptive, siç është koncesioni për check up, apo kontrolli shëndetësor falas.

Pak ditë me parë, në kuadër të hetimeve për këtë tender, SPAK, mori në pyetje 70 qytetarë nga Elbasani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë