Rend dhe Ligj

Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, pritet të ekstradohet nga Spanja

Gazeta Si – Lulzim Berisha, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për disa ngjarje kriminale, pritet të ekstradohet këtë të martë nga Spanja drejt Shqipërisë.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, mësohet se ish-kreu i bandës së Durrësit, do të mbërrijë në vendin tonë ditën e sotme, pasi ndaj tij ka një proces gjyqësor në Gjykatën e Posaçme, i dyshuar si porositës i vrasjes së Klodian Saliut në vitin 2005 në Durrës.

Lulzim Berisha u arrestua në Spanjë në dhjetor 2023 në qytetin Alikante. Gjykata spanjolle ka vendosur në gusht 2024 ekstradimin e tij në Shqipëri, pavarësisht se i akuzuari e kundërshtoi nga frika e hakmarrjes për shkak të së shkuarës së tij.

Ai kundërshtoi ekstradimin me motive të ndryshme, por në fund autorizimi u dha dhe Interpoli i dy vendeve ka kryer procedurat, teksa sot pritet të zbresë në aeroportin e Rinasit, në Tiranë dhe në kushte të forta sigurie.

Për vrasjen e Klodian Saliut, janë marrë të pandehur edhe Indrit Taullai dhe Indrit Rusi. Bashkë me vrasjen e Saliut, i penduari i drejtësisë, Luftar Reçi, i cili dëshmoi në SPAK të gjithë dinamikën e vrasjeve që tronditën vendit, drejtoi gishtin nga Berisha edhe për ekzekutimin e biznesmenit Vajdin Lame.

Por kjo akuzë ka rënë, e tashmë për vrasjen e Lames akuzohen vetëm Emiliano Shullazi dhe Viktor Ymeri. Biznesmeni Lame u vra me lëndë shpërthyese më 27 shkurt të vitit 2005, dhe bashkë me të humbi jetën edhe Artan Arsi.

Me ekstradimin e tij në Shqipëri, Lulzim Berisha, do duhet të vuajë dhe një dënim me 6 vite burg, masë dënimi kjo që ka mbetur ende e papërfunduar nga dënimi me 25 vite burgim të dhënë disa vite më parë nga Gjykata e Lartë.

Kjo është përballja e dytë e Lulzim Berishës me drejtësinë, pasi herën e parë ai u ndesh me dëshminë e bashkëpunëtorit të prokurorisë, Adriatik Coli.

Ndërsa herën e dytë, ai duhet të përballet me dëshminë e Luftar Reçit, i cili tashmë është bërë bashkëpunëtor i SPAK, duke rrëfyer disa ngjarje kriminale të dekadave të fundit.

Reçi, ka treguar se ai së bashku me Plaurent Dervishaj, Lulzim Berishën, Indrit Taullain dhe Indrit Rusin që njihet me nofkën “Çeçi”, kanë vrarë Klodian Saliun. Për këtë ngjarje u deportua një vit më parë dhe Plaurent Dervishaj nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në 2012, Lulzim Berisha u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë.

Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në dhjetor të 2016.

Katër vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia.

Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë