Ana e errët

Ish-Dollari, vendi ku shiten telefona dhe konvertohet valutë pa “doganë”. Flet agjenti i krimit ekonomik

Për ironi, Banka e Shqipërisë gjendet pak metra larg zonës ku varëset, telefonat e vjedhur dhe valuta konvertohet në para ose anasjelltas.

Njëri ndër ta u afrohet nën zë kalimtarëve dhe pëshpërit, “kemi karta SIM”. Ky vend që të çon në hyrje të Tregut Çam, dikur ishte vatra kryesore e një veprimtarie të tillë. Ndonëse Njësia kundër Krimit Ekonomiko-Financiar e ekspozon si një arritje minimizimin e këtij aktiviteti të paligjshëm, realisht veprimtaria vijon, ndonëse jo hapur fare.

Kushdo mund të shesë telefona ose të konvertojë para, edhe për këto të fundit qytetarët ndihen më të sigurtë në agjencitë valutore.

“U njoftova nga eprorët e mi, se persona të ndryshëm po kryejnë aktivitet të paligjshëm në Tregun Çam dhe konkretisht në rrugën "Ibrahim Rugova", ndaj u nisa për të këqyrur a po zhvillohej apo jo këmbim valuator”, e nis dëshminë përpara oficerëve, agjenti i krimit ekonomiko-financiar S.C., i cili duhet të shpjegojë përpara tyre se si e zbuloi një shtetas me një sasi paundësh nëpër xhepa.

Oficeri këmbëngul se menjëherë ngriti një grup pune dhe kur ka mbërritur në vendngjarje në afërsi të një stacioni autobusësh, ka vërejtur me sy të lirë një qytetar që mbante njërën dorë të zgjatur.

“Shtetasi që më pas u identifikua si A.SH., u kuptua që po shkëmbente valutë ose po shiste bono thesari dhe në këtë çast iu afruam dhe e pyetëm çfarë ishte duke bërë”, përshkruan oficeri.

Fillimisht, komisariati numër 3 tregon për Gazetasi.al, se qytetari A.Sh. ka pranuar faktin e këmbimit valutor si i vetëpunësuar, pasi ishte i papunë. “Këtë shtetas e kemi paralajmëruar disa herë, - nënvizon oficeri, - që të mos ushtronte veprimtari të paligjshme dhe për këtë arsye u shoqërua në komisariat”.

Nga kontrolli fizik i tij, oficerët përpiluan këqyrjen, duke theksuar se atij iu gjetën sende të tjera përveç kartëmonedhave dollarë, paundë dhe euro, mes tyre një peshore elektronike, lente zmadhuese dhe një pllakë xhami e zezë, që shërben për tregtimin e floririt.

“Paratë m'i solli dhëndri”

Por gjatë marrjes në pyetje të A.SH., si i dyshuar për ushtrim pa licencë të veprimtarisë financiare, ai e ka pasur gati alibinë. “Të gjitha këto vlera që më keni gjetur, m’i ka sjellë dhëndri, i cili jeton në Angli dhe quhet M.S.”, rrëfen i dyshuari, një version që konfirmohet nga këqyrja në sistemin TIMS, ku dhe rezulton se i afërmi i tij ka dalë nga Shqipëria përmes Rinasit.

Burimet e Gazetasi.al, shtojnë se një dukuri e tillë, si shoqërimi i shtetasit të mësipërm, i cili u la i lirë dhe paratë iu kthyen, janë të përditshme. Por hetimi i pastrimit të parave, përmes njësive të inteligjencës, është kryesisht i fokusuar te transfertat që kryhen në sistemin bankar, ku dhe gjurmohen dërgesat e dyshimta apo që ngjajnë me anomali.

Më së shumti, këto çështje pushohen nëpër prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm për mungesë provash. Ndonëse sipas një marrëveshjeje të 2020-s midis Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme është firmosur memorandumi, ku secili nga institucionet merr përsipër riorganizimin, rezultatet lënë për të dëshiruar.

Njëkohësisht me riorganizimin e seksioneve të posaçme kundër pastrimit të parave, agjencia e parandalimit të pastrimit të parave nga ana tjetër, do të duhej të vlerësonte informacionet e nisura nga shërbimet inteligjente. Këto të dhëna mbi krimet financiare, duhet të përcillen pranë strukturave përkatëse hetimore.

Çfarë thotë SHISH?

Në një nga raportet e rralla të Shërbimit Informativ Shtetëror, të bërë publik për krimet në ekonomi, theksohet se shumica e parave të pista e kanë origjinën nga aktiviteti kriminal ndër vite.

“Sektorët mbizotërues për pastrimin e parave, mbeten biznesi i ndërtimit, pasuritë e paluajtshme, hoteleri-turizmi, etj. Zonat bregdetare dhe ato urbane, mbeten më tërheqëset, pasi ofrojnë potencial për kthimin shumëfish të investimit fillestar”, thuhet më tej në raport.

Ku pastrohen paratë?

Nëse do t’u referohemi të dhënave zyrtare të vendosura në dispozicion sipas dosjeve të gjurmuara nga prokuroritë, kuptohet se kryeqyteti është vendi i preferuar me masën e 50% të të gjitha rasteve të zbuluara gjatë 2020-s.

Më tej rreth, 37% e rasteve gjenden në qytetin  e Shkodrës, 35% në qytetin e Vlorës dhe më tej në vend të katërt, qëndron Durrësi dhe Elbasani, të cilët janë me të njëjtën përqindje të çështjeve të hetuara dhe konkretisht me nga 22%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë