Drejtësia

Ish-deputeti Ervin Salianji kërkon lirinë, rekursi në Gjykatën e Lartë caktohet në 11 mars

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka caktuar datën 11 mars për seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor të rekursit të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili kërkon lirinë dhe kundërshton dënimin me 1 vit burg për “kallëzim të rremë”.

Në shkresën e rekursit, Salianji thotë se kërkon pezullimin e vendimit të datës 18 dhjetor 2019 të Gjykatës Penale, por edhe vendimin e datës 26 shtator të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Ish-deputeti prej datës 27 shtator të vitit 2024 ndodhet në burgun e Fierit, pasi Apeli la në fuqi të vendimit të Shkallës se Parë.

Arrestimi i tij u pasua me një sërë reagimesh politike të krahut të djathtë, të cilët e cilësuan dënimin e tij me burg si vendimmarrje politike.

Salianji u dënua për dosjen ‘Babale’, ku bashkë me gazetarin Jetmir Olldashi dhe Albert Veliun e njohur si ‘Babale’ hodhën akuza ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohë, Agron Xhafajt, për trafik droge.

Agron Xhafaj pas akuzave në fjalë, në të cilat thuhej se ai ishte i dënuar në Itali për trafik droge, shkoi dhe kreu dënimin që kishte në vendin fqinj.

Por Prokuroria ngriti pretendimet se audio-përgjimi me të cilin Salianji dhe gazetari Olldashi akuzonin vëllain e Fatmir Xhafajt, ishte i pavërtetë dhe i montuar qëllimisht.

Prej 26 shtatorit të vitit që lamë pas, Ervin Salianji ndodhet në burgun e Fierit duke kryer dënimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë