Lojëra me Dore

Isak nuk ulet në gjunjë për të protestuar: Përgjigja është Jezui

Fiton Orlando Mexhik, që mund Bruklin Nets 128-118 dhe e parakalon në vendin e shtatë, por lajmi i një ndeshjeje të basketbollit amerikan, ku mbrojtjet ishin në “grevë”, lidhet me Xhonatan Isak, lojtarin që nuk u ul në gjunjë gjatë himnit amerikan para se të niste loja. Ai ishte i vetmi që e bëri këtë, ndryshe nga gjithë shokët e skuadrës dhe kundërshtari, që u gjunjëzuan në shenjë proteste për racizmin ndaj afro-amerikanëve.

“Besoj se jetët e afro-amerikanëve janë të rëndësishme, por të ulesh në gjunjë apo të veshësh një fanellë nuk është mënyra për ta thënë këtë”, - ka shpjeguar lojtari i Orlando Mexhik, i cili nuk kishte veshur as fanellën “Black Live Matter”, siç kishin bërë të gjithë ata që kishte përreth.

Isak ka folur pas ndeshjes, duke shpjeguar bindjet e tij dhe pse kishte bërë atë zgjedhje. “Nuk duhet të tregojmë me gisht njëri-tjetrin, bëjmë të gjithë gabime. Racizmi nuk është plaga e vetme e shoqërisë sonë. Nuk kanë të bëjnë fare flamuri apo presidenti. Ka gjëra të gabuara në këtë komb dhe kjo vlen për secilin nga ne. Besoj se përgjigja për problemet është te Zoti, duhet gjetur në Ungjill. Asnjë mesazh në fanellën time? Për të njëjtin motiv. Për mua, e vetmja përgjigje është Jezui.

Isak (djathtas) gjatë një ndeshjeje. Gazeta Si, 1 gusht 2020

E dija se do të ishte e vështirë të merrja këtë vendim, e dija që do t’u përgjigjesha shumë pyetjeve. Fola me shokët para se të bëja këtë zgjedhje. Ata e dinë dhe respektojnë vendimin tim. Nuk e bëj atë që po bëj për të qenë popullor apo në qendër të vëmendjes. Shokët e skuadrës e dinë si jam si person”, - ka theksuar Isak. Kurse Furnier është shprehur: “Është zgjedhja e tij, ka mbështetjen tonë, nuk duhet të shpjegojë asgjë dhe nuk ka pasur asnjë presion nga ne”.

Trajneri i Orlandos, Kliford, ka ngritur zërin ndaj gazetarëve që janë përpjekur t’i marrin ndonjë fjali polemizuese. “Unë, lojtarët dhe klubi mbështesim Isakun, është vendimi i tij për të mos u ulur në gjunjë gjatë himnit. Është një zgjedhje e lirë, të jetosh në Amerikë të lejohet të bësh zgjedhje të lira”, - tha ai.

Në dy ndeshjet e para të NBA-së, Nju Orlins-Jutah dhe derbit të Los Anxhelesit, Lejkërs-Klipers, nuk ka pasur nga ata që nuk kanë marrë pjesë në këtë lloj proteste të lojtarëve dhe trajnerëve, të cilët kanë dhënë mesazhe për barazi sociale dhe drejtësi. Isak, 22 vjeç është i vetmi. Ai konsiderohet një talent dhe kthehet pas një dëmtimi në gju. Isak është një besimtar i devotshëm, ndaj dhe zgjodhi të mos përulet në shenjë proteste ndaj racizmit.

Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përgatiti: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë