Ngjarje

IPI: Policia dhunoi gazetarët gjatë protestave kundër rritjes së çmimeve në Shqipëri

Instituti Ndërkombëtar i Medias ka reaguar duke e cilësuar të tepruar reagimin e policisë së shtetit ndaj gazetarëve gjatë protestave që përfshinë vendin kundër rritjes së çmimeve.

“Instituti dënon dhunën e policisë kundër gazetarëve shqiptarë gjatë protestave në disa qytete këtë muaj. Policia duhet të tregojë vetëpërmbajtje përballë gazetarëve dhe të garantojë sigurinë e punonjësve të medias gjatë protestave”, thuhet në deklaratë.

Sipas këtij Instituti, gjatë protestave të 11 marsit, të paktën dy gazetarë u sulmuan në Tiranë dhe në Durrës.

“Gazetarët po raportonin protestat mbi rritjen e çmimeve të ushqimeve, karburantit dhe energjisë, që shpërthyen në disa qytete shqiptare”, vijon deklarata.

“Dhuna policore ndaj gazetarëve që raportojnë protestat është një shkelje flagrante e lirisë së medias. Autoritetet shqiptare duhet të respektojnë të drejtën e gazetarëve për të raportuar dhe garantojnë sigurinë e tyre gjatë ushtrimit të detyrës. Autoritetet duhet ta bëjnë të qartë se dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme, duke hetuar këto incidente dhe duke vënë para përgjegjësisë personat përgjegjës”, thuhet në deklaratën e Scott Griffen, zv.drejtori i International Press Institute.

IPI është një organizatë globale e themeluaar që në vitin 1950, që aktualisht ka një rrjet të gjerë anëtarësh nga 120 vende të botës, si dhe gëzon statusin e këshillimit për çështjet e medias pranë OKB-së, UNESCO-s dhe Këshillit të Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë