Inxhinieri Agim Seranaj u shkarkua nga detyra e zv.dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit me vendim të dekanit Neritan Shkodrani. Arsyeja e shkarkimit nuk është bërë ende publike, por ajo mbërrin pak ditë pasi Seranaj u rreshtua në krah të një grupi inxhinierësh që qortonin Institutin e Ndërtimit dhe dilnin me disa propozime konkrete për t’u përballur me mirë me pasojat e tërmetit.
Seranaj, që mban gradën e Doktorit të Shkencave ka qortuar në daljet publike mënyrën e përballimit të pasojave të tërmetit nga strukturat shtetërorë. Ai ka deklaruar se në një pjesë të mirë të pallateve të shembura në Durrës duken qartë gabimet njerëzore.
Veç kësaj, Seranaj është edhe pjesë e Shoqatës Shqiptare të Inxhinierëve Konsulentë dhe firmëtar i një kërkesë publike drejtuar Kryeministrit Edi Rama, kërkesë që mban datën 18 dhjetor.
Në këtë kërkesë, Shoqata kërkon unifikimin e një draft-formulari për fazën e dytë të inspektimit të dëmeve të tërmemtit. Ajo propozon që në vend të formularit ekzistues të përdoret formulari i PNUD, pasi sipas saj, përmirëson përcaktimin e shkaqeve të dëmeve, kategorizon më mirë objektet e dëmtuara, mundëson përcaktimin e kosotve për njësi ndërtimi dhe përmirëson përcaktimin e metodës që do të ndiqet për ndërhyrjet e rindërtimit.
Veç kësaj, Shoqata propozon edhe ngritjen e Autoritetit të Rindërtimit si pjesë e Ministrisë së Rindërtimit. Këtë kërkesë inxhinierët firmëtarë, mes të cilëve edhe Agim Seranaj e vlerësojnë si tejet të rëndësishme.
“Së pari të kontribuojmë dhe mbështetim programin e tyre me bindjen se me problematikat e mëdha që krijoi tërmeti i datës 26 nëntor, institucionet në varësi të Qeverisë e kanë të vështirë që ta përballojnë këtë situatë. Së dyti, të përmbushim detyrimin tonë si komunitet profesional për rregullimin e dëmeve të shkaktuara nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë sonë. Instituti i Ndërtimit, ndoshta jo për faj të tij i vërtetoi problematikat e publikuara dhe pamundësinë e tij profesionale në fazën e parë. Fazat që kemi përpara janë më të vështira dhe kërkojnë aftësi menaxheriale dhe profesionale me standarde më të larta”, thuhet në kërkesë.
Përveç kësaj, inxhinierët konsulentë kërkojnë që Autoriteti i Rindërtimit të ngrihet jo vetëm si mekanizëm që do të mbledhë profesionistët, por edhe për të mbajtur përgjegjësi ligjore për problematikat që mund të shfaqen në të ardhmen për ndërtesa të caktuara.
Këtë kërkesë, inxhinierët konsulentë e argumentojnë me faktin që Instituti i Ndërtimit nuk mban përgjegjësi juridike nëse një godinë e vlerësuar si e sigurtë prej tij në të ardhmen shfaq probleme.
Agim Seranaj është jo vetëm firmëtar, por edhe përgjegjës i grupit të punës së inxhinierëve që kanë hartuar këtë kërkesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.