Rend dhe Ligj

Investim i parave të paligjshme të të birit në HEC-e, akuza e SPAK-ut për Erzen Breçanin

Gazeta Si - SPAK dyshon se Erzen Breçani, ish-zyrtari i lartë i Policisë, ka investuar paratë e paligjshme të të birit për ndërtimin e HEC-eve. Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme thuhet se Breçani kishte dijeni të plotë mbi aktivitetin e paligjshëm të djalit të tij, Eralbi Breçani.

Përmendet në dosje aktiviteti tregtar i “HEC DRITA ENERGY”, që sipas SPAK-ut, ka si administrator Eralbi Breçanin, ende në kërkim. Investimet janë përftime të paligjshme, nën mbulimin që janë financime nga kredia.

Për SPAK-un, Breçani u ka dhënë informacione Bujar Ajetit dhe Nuredin Dumanin, që të shmangnin komunikimet dhe çdo lëvizje që mund të sillte arrestimin e tyre.

Për Jonida Babameton pranohet se ka shpërdoruar detyrën, pasi ka kryer me dashje shkeljen e detyrës si specialiste e ‘ZQK Interpol Tirana’, duke i vendosur në dispozicion informacionin e klasifikuar Dedan Gjonit, ish-shef i krimeve në Kombinat.

Ai këtë informacion ua ka përcjellë personave të ndryshëm në konflikt me ligjin, sipas SPAK-ut. Dedan Gjoni dyshohet se ishte në dijeni të plotë të qëllimeve të shtetasit Ismail Zeneli dhe ka komunikuar intensivisht për të saktësuar vendndodhjen e vëllezërve Nela. Në një bisedë të 24 shkurtit 2021 thuhet: ‘Besoj se kësaj radhe jemi në shenjë, me qetësi do e marrim tani, jemi në kohë’.

Ata që po kërkoheshin dhe që po gjurmoheshin ishin Edmond Nela, Albert Nela dhe Silvi Nela dhe qëllimi ishte për t’i vrarë. Personi që kryente orientimet ishte Bujar Ajeti, - dyshon SPAK, që ilustron nga bisedat e përftuara dhe përpjekjet e të tjerëve për të trafikuar kokainë nga vendet e origjinës drejt Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë