Ngjarje

Invalidët e Punës protestë para Ministrisë së Financave: S’duam lëmoshë, plotësoni 8 kërkesat tona

Nga Gazeta Si- Invalidët e punës janë mbledhur sot në protestë para Ministrisë së Financave ku kanë kërkuar plotësimin e 8 kërkesave nga qeveria.

Kërkesat nga invalidët e punës janë:

-Indeksimi i pensioneve të invalidëve të punës në përputhje me të ardhurat dhe rritjen e çmimeve.

-Rimbursim i energjisë elektrike dhe lëndës djegëse, si për të gjitha kategoritë e tjera.

-Dhënia e 500 lekëshit, e premtuar për buxhetin e vitit 2020.

-Rritja e ndihmës së paaftësisë me 1000 të premtuar nga kryeministri që në vitin 2013 dhe indeksimi i saj si të gjitha kategoritë e tjera.

-Kalimi i ndihmës së paaftësisë tek sigurimet shoqërore.

-Zbatimi i ligjit për përjashtim nga taksat, sidomos ato vendore.

-Rimbursimi i ilaçeve të domosdoshme për shëndetin për diagnozën që ka individi.

-Zbatimi i ligjit për transportin urban dhe interurban.

Kreu i Shoqatës së Invalidëve, Abdulla Omuri, u shpreh gjatë protestës se kanë mbetur pa asnjë mbështetje nga qeveria. Ai theksoi se janë dërguar 12 shkresa në drejtim të Ministrisë së Financave por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Ministria e Financave nuk pranoi asnjëherë sugjerimet tona. Ne që kemi punuar në miniera askush nuk e mendon se çfarë kemi hequr. Ne kemi dërguar mbi 12 shkresa dhe e fundit ka qenë më datë 12 shtator, akoma asnjë përgjigje. Pensionet e pleqërisë janë më të mëdha se pensionet e invaliditetit, përse?”, tha Omuri duke shtuar se do të presin deri më 20 nëntor për një përgjigje nga Ministria e Financave. Më pas do të ketë të tjera protesta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë