Filma

Interpretimi i fundit i Gulielm Radosë, filmi ‘Mbjellja e pemëve’ shfaqet në Shkodër

Projekti “Kinemaja në rajone” e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) çon sot në Shkodër filmin me metrazh të shkurtër “Mbjellja e Pemëve”, produksion i vitit 2021, me regji të Fabio Seferit, mundësuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë.

Në film interpretojnë aktorë të njohur si Luiza Xhuvani, Kastriot Çaushi, etj., si dhe i ndjeri Gulielm Radoja, për të cilin ndodhi që ky të ishte filmi i fundit ku do të merrte pjesë.

Filmi “Mbjellja e pemëve” bazohet në një ngjarje të vërtetë dhe flet për një djalë të ri, i cili burgoset në kohën e komunizmit, për shkak se kapet në befasi duke lexuar një libër të letërsisë së ndaluar të asaj kohe. Gjatë gjithë filmit na shfaqen vuajtjet e tij në birucë bashkë me shokët qelisë, si dhe peripecitë që nënës së tij i duhet të kalojë për të kontaktuar me djalin e saj në burg.

Cikli “Kinemaja në rajone” ka bërë të mundur që një sërë filmash, prodhime apo bashkëprodhime shqiptare, të shfaqen në qytete të ndryshme të vendit si Gjirokastër, Korçë, Përmet, Vlorë etj. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë