Teknologji dhe Inovacion

Interneti do të ndahet më dysh, një kinez dhe një amerikan

Në luftën tregtare të nisur nga Donald Trump kundër Kinës, shënjestra kryesore janë produktet e teknologjisë së lartë, tarifat importuese të të cilave janë rritur deri në 200 për qind nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan e argumenton vendimin e tij me nevojën për të mbrojtur kompanitë dhe rolin e Shteteve të Bashkuara se vend lider në fushën e inteligjencës artificiale.

Nën këto masa, SHBA mund ta ruajnë edhe për disa vite pozicionimin si lider në fushën e teknologjisë së lartë, por nuk mund të ruajë dot më hegjemoninë e monopolit të internetit. Kështu mendon Eric Schmidt, ish-drejtori ekzekutiv i Google.

Miliarderi 63-vjeçar deklaron se brenda dekadës së ardhshme bota e internetit nuk do të jetë kjo që njohim sot.

“Ajo do të ndahet më dysh. Njëra pjesë do të udhëhiqet dhe kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër nga qeveria kineze”, deklaron ai.

Parashikimin e argumenton me vendosmërinë që po tregon Pekini për të vazhduar me politikat e censurës në botën online. Por, duket se sa më shumë përpiqet vendi komunist për ta kontrolluar internetin për qytetarët e tij, aq më shumë shtohen përpjekjet për të patur akses tek interneti i lirë dhe pa censurë.

Për këtë, Schmidt mendon se Kina do të ndërtojë një internet të vetin, të ndryshëm nga pjesa tjetër e botës.

“Procesi ka nisur tashmë me të ashtuquajturin Fireëall-i i Madh i Kinës, që u ndalon kinezëve që të aksesojnë faqe popullore, si Facebook dhe Youtube”, deklaron ish-kreu ekzekutiv i Google.

Në fakt, nëse kompani të mëdha botërore dëshirojnë që të hyjnë në tregun e madh kinez, duhet të bëjnë atë duke hequr dorë nga shenjtëria e lirisë dhe të pranojnë censurën e autoriteteve kineze.

Të gjitha platformat ndërkombëtare, përfshirë edhe Facebook dhe Youtube u duhet që të ndërtojnë një version të shërbimeve të tyre që më pas filtrohet nga Baidu. Baidu vetë është versioni kinez i motorit të kërkimit Google dhe përmes këtij motori, autoritetet kontrollojnë me sukses të gjitha materialet që qarkullojnë në botën e madhe të internetit.

“Nëse e shikoni Kinën, mahnitesh nga numri i kompanive dhe shërbimeve që po ndërtohen me shpejtësi. Interneti dhe shërbimet që ofrohen përmes tij janë një pjesë e rëndësishme e prodhimit të brendshëm të Kinës dhe me ritmet e zhvillimit, përplasja me SHBA është e pashmangshme. Mendoj se brenda 2028, do të kemi dy botë të internetit; një e udhëhequr nga SHBA dhe tjetra e udhëhequr nga Kina”, shton Eric Schmidt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë