Gazeta Si – Sfida me Romën është ndeshja e 7-të (duke llogaritur edhe 2 sfidat e Superkupës së Italisë) në një muaj e pak për Interin. Ngarkesë e madhe, megjithatë trajneri Inzagi, duke e parë si një ndeshje trasferte dhe ndaj një kundërshtari në formë, do të aktivizojë po atë 11-ësh që luajti ndaj Juventusit.
Trajneri zikaltër nuk do që të humbasë pikë në një javë, kur Juventusi rival luan në fushën e Udinezes të hënën. Gjysma e skuadrës që do të zbresë në fushë të shtunën në ‘Olimpico’ ka bërë ‘en plein’ në 2024-ën: Somer, Pavard, Mkhitarian, Lautaro e Turam kanë qenë gjithmonë titullarë ndaj Veronës, Moncës, Lacios, Napolit, Fiorentinë dhe Juventusit.

Kështu do të jetë edhe ndaj Romës, çka do të thotë se Kristjan Asllani, mesfushori kuqezi, duhet të shpresojë për ndonjë minutë në pjesën e dytë. Ndaj Juventusit ai qëndroi gjithë kohën në stol.
Një strategji që tregon qartë se objektivi kryesor i Interit është titulli dhe ylli i dytë. Edhe momenti është vendimtar në fakt për sezonin. Shkurti është vendimtar për rikthimin e Championsit dhe rikuperimin e ndeshjes me Atalantën, kurse Juventusi në letër ka një kalendar të favorshëm.
Në këtë situatë, nuk preken lojtarët që kanë dhënë më shumë garanci. Pastaj ka edhe nga ata që janë më të paprekshëm, si dyshja e sulmit apo Mkhitarian. Në një sezon shumë të lodhshëm fizikisht ka shumë rëndësi administrimi i grupit dhe ndoshta pas Romës, në ndeshjen me Salernitanën, mund të ketë ndonjë ndryshim. Ndaj të vëllait Pipo, para Championsit, do të ishte e logjikshme ndonjë lëvizje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




