Gazeta Si – Një “pushtim” i ri i mundshëm i Ceutës nga migrantët më 15 gusht është një mundësi reale. Kështu raporton “Cadena Ser”, duke iu referuar burimeve të inteligjencës spanjolle.
Raporti thekson se Qendra Kombëtare e Inteligjencës e Spanjës (CNI) e konsideron “plotësisht të besueshme” fushatën në rrjetet sociale, e cila bën thirrje për një hyrje të re masive në enklavën spanjolle pikërisht në ditën e 15 gushtit.
Për më tepër, ekziston mundësia që organizatorët ta zhvendosin datën më herët për të përfituar nga elementi i befasisë, duke pasur parasysh vëmendjen e gjerë mediatike që ka shkaktuar buja në internet.
Prej ditësh, CNI po monitoron grupet në Facebook dhe WhatsApp, si dhe profilet në TikTok, ku po qarkullojnë mesazhe dhe informacione të pasakta lidhur me të ashtuquajturat mangësi në kontrollet kufitare.
Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i Komisionit Evropian, theksoi se ishte “konfirmuar ekzistenca e kanaleve për manipulimin e informacionit dhe ndërhyrje nga jashtë – konkretisht ruse – të cilat synuan me shpejtësi të amplifikonin situatën lidhur me Ceutën në platforma të ndryshme duke filluar nga 30 korriku, edhe pse nuk ishte konstatuar asnjë aktivitet i tillë në ditët paraprake”.
Pavarësisht kësaj situate, ekzekutivi i BE-së “do të vazhdojë të bashkëpunojë me shtetet anëtare, platformat e ndryshme dhe autoritetet kompetente për të vlerësuar situatën, veçanërisht në lidhje me dezinformimin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje