Ne rrjet

Inteligjenca amerikane: Ballkani mund të zhytet në luftë!

Inteligjenca amerikane ka ngritur së fundmi alarmin se Ballkani rrezikon të zhytet në konflikt të hapur ushtarak.

Në një raport për kërcënimet në botë për vitin 2019, komuniteti i Inteligjencës së SHBA-së vlerëson se mundësia e një konflikti të hapur ushtarak dhe ndikimi i Rusisë, mbeten kërcënimet kryesore për sigurinë e Ballkanit Perëndimor për këtë vit.

“Rusia do të tentojë të shfrytëzojë tensionet etnike”, thuhet në raportin e publikuar të enjten nga mediat amerikane. “Ballkani Perëndimor do të mbetet ende një rrezik për shpërthimin e dhunës së nivelit të ulët ndoshta edhe të ndonjë konflikti të hapur ushtarak gjatë vitit 2019. Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë tensionet etnike dhe nivelet e larta të korrupsionit për të penguar vendet e këtij rajoni që të lëvizin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe NATO”, thotë raporti.
Paralajmërimi i inteligjencës amerikane vjen pas vizitës së presidentit Vladimir Putin në Serbi, ku u prit me festime dhe nderime të jashtëzakonshme.

Pak para kësaj vizite ai akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin për destabilizim të Ballkanit përmes zgjerimit të NATO-s, dhe ka shfrytëzuar vizitën në Serbi për të fuqizuar ndikimin e Rusisë në rajon. Judy Dempsey ekspert nga Qendra Carnegie thotë se Rusia ka tentuar gjithnjë të dobësojë lidhjen mes Perëndimit dhe Ballkanit.

Sipas tij, Moska do të vazhdojë me politikën e saj oportuniste në Ballkan, duke përdorur çdo situatë të përshtatshme për propagandë ose për të ndikuar në situatën në të cilën gjendet rajoni, për aq kohë sa Ballkani nuk është prioritet kryesor i BE-së.

Presidenti serb takon ushtarët shqiptarë


Për më tepër se një shekull, Ballkani është në pritje të një paqeje të qëndrueshme, përfundimtare mes dy kombeve më të mëdha etnike në rajon, shqiptarëve dhe serbëve.

Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se paqja ballkanike do të varet nga mënyra se si këto dy kombe do të zgjidhin mosmarrëveshjet. Shumica e tyre janë dakord se bisedimet sekrete midis udhëheqësve nuk kanë gjasa të arrijnë këtë qëllim, pasi Lufta e Parë Botërore, e cila filloi në Ballkan, shpërtheu, pikërisht si rezultat i aleancave sekrete.

Sipas inteligjencës amerikane, rreziku i një konflikti në rajon vjen pjesërisht edhe për shkak të “armatosjes” së rajonit pasi trendi botëror i rritjes së shpenzimeve ushtarake u vërejt në të gjithë botën dhe po reflektohet edhe në Ballkan. Gjatë vizitës së Presidentit Putin në Beograd u firmosën 20 marrëveshjeve bilaterale, disa prej të cilave përfshijnë bashkëpunimin ushtarak midis dy shteteve, por edhe atë bërthamor.

Serbia, me rreth 30 mijë trupa, mbetet fuqia më e madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor, kurse Shqipëria e dyta. Kosova do t’i transformojë “Forcat e Sigurisë” të saj në një ushtri të rregullt këtë vit. Bosnjë e Hercegovina dëshiron të bëhet një anëtar i NATO-s, por Republika Srpska premton të bllokojë çdo iniciativë me veton e saj në nivel federal. Tri javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergei Lavrov vizitoi Republikën Srpska për të mbështetur zgjedhjen e Mirald Dodikut në Presidencën Federale.

Ka të ngjarë që lufta hibride dhe gara ushtarake do ta ndajnë rajonin në dy zona: atë nën ombrellën ruse (Serbi dhe Republika Srpska) dhe vendet me orientim euroatlantik (Shqipëria, Kosova, Maqedoni dhe Mali i Zi). Tashmë me zgjidhjen e emrit me Greqinë, Maqedonia pret nga dita në ditë ftesën zyrtare për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe i bashkohet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ushtria shqiptare

Harta ushtarake e Ballkanit duket e thjeshtë: Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk janë anëtare të NATO-s, por kufizohen me fqinjët që janë apo aspirojnë anëtarësimin në aleancën veri-atlantike. Rusia është e pranishme në rajon, nëpërmjet “Qendrës Humanitare Ruso-Serbe” në Nish, e cila ende nuk e ka fituar statusin diplomatik, pavarësisht shtytjes së fortë nga Moska.

Kremlini paralajmëroi se planifikon të krijojë një qendër rajonale për vendosjen e helikopterëve ushtarake dhe ka paralajmëruar edhe dërgimin e trupave të saj në Serbi.

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bazën e saj që nga viti 1999 dhe së shpejti aleanca do të fillojë ndërtimin e një baze ajrore në Kuçovë. Ky rimilitarizim do të krijojë tensione serioze në rajon, në kohën kur po hapet “Kutia e Pandorës” për ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës.

Ky propozim ka ndarë aktorët kryesorë në katër blloqe: Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar (Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministrja britanike Theresa May kundërshtojnë kategorikisht këtë ide); Komisioni Evropian, (shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini dhe Komisionari i Zgjerimit të BE-së Johannes Hahn janë pro kësaj teze); Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë nga afër situatën, por nuk kanë marrë asnjë vendim dhe Rusia, (sipas zëdhënëses Maria Zaharova) që do të “pranojë çdo marrëveshje që është e mirë për Serbinë”.

Çështjet ushtarake dhe kufitare janë shumë të ndërlidhura në Ballkan, pasi politikanët në rajon shpesh bëjnë thirrje për dërgimin e ushtarëve për të mbrojtur kufijtë. Një pjesë e tyre në të shkuarën kanë patur lidhje me konfliktet në rajon.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ishte udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç ishte ministër i Informacionit në kohën e presidentit jugosllav Slobodan Millosheviq, gjatë luftërave Ballkanike të viteve ‘90-ta. Gjatë vizitës së tij në Kosovë në muajin shtator, presidenti Vuçiç foli me vlerësimeve të mëdha për Sllobodan Millosheviçin. Analistët thonë se për aq kohë sa ithtarët e Millosheviçit, si Vuçiç apo dhe Daçiç të jenë në pushtet në Beograd, çmilitarizim i Ballkanit do të jetë i pamundur.

Çështja kryesore që ngrenë ekspertët është nëse ndryshimi i kufijve do të çojë në paqe apo në luftë? Ministrja kroate e Punëve të Jashtme Marija Pejçinoviç Buriç ka shfaqur hapur dyshimin se një precedent i tillë do të vendoste një shkëmbim territorial edhe në pjesë tjera të rajonit si në Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Vetëm një pajtim i vërtetë midis shqiptarëve dhe serbëve me njohjen reciproke të shteteve mund të ndalojë rimilitarizimin e rajonit. Kjo duket e pamundur në një ardhme të afërt duke marrë parasysh qëndrimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili deklaron vazhdimisht se Beogradi “nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet të pavarur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë