Ekonomi

Instituti i Vjenës: Ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3.8%. Politikat e Trump cënojnë rajonin

Nga Gazeta ‘SI’ – Instituti i Vjenës parashikon që ekonomia e Shqipërisë të rritet me 3.8% për vitin 2025 dhe 3.9% në 2026-n. Sipas raportit, Shqipëria do të ketë një dy vjeçar më të mirë se rajoni, bashkë me Kosovën.

Inflacioni në Shqipëri për periudhë 2025-2026 do të mbetet poshtë objektivit, konkretisht 2.5% dhe 2.4%. Edhe norma e papunësisë parashikohet të vijojë rënien duke qëndruar më poshtë se rajoni.

Pa u ndalur tek profilet e shteteve, Instituti parashikon se “kërcënimi” Trump do ta prekë shumë shpejt edhe rajonin e Europës Lindore.

“Meqenëse SHBA është bërë tregu më i rëndësishëm i eksporteve për BE-në gjatë dekadës së fundit, ndikimi negativ i tarifave të larta të SHBA-së për mallrat dhe shërbimet europiane do të ishte gjithashtu i rëndësishëm për anëtarët e Europës Lindore dhe do të ndihej prej tyre relativisht shpejt. ”, thotë raporti. Ndërsa flukset e drejtpërdrejta tregtare midis rajonit dhe Amerikës janë të kufizuara, kërkesa më e ulët e SHBA për produkte industriale europiane dhe investimet e reduktuara mund të kenë një ndikim të rëndë në Europën Qendrore dhe Lindore.

Politika e paparashikueshme e Trump për Ukrainën, është një tjetër kërcënim që mund të godasë rëndë ekonominë e rajonit.

“Nëse Ukraina nuk do të merrte më ndihmë nga Uashingtoni dhe do të mposhtej ushtarakisht, kjo do të dëmtonte rëndë imazhin e Perëndimit, do të demoralizonte dhe diskreditonte NATO-n dhe do të inkurajonte Putinin të testonte klauzolën e mbrojtjes reciproke të aleancës”, paralajmëron raporti.

Një valë e madhe refugjatësh nga Ukraina në të gjithë BE-në ndoshta do të vinte si rezultat, dhe do të kishte gjithashtu mundësinë e një rritjeje të mprehtë të çmimeve globale të ushqimeve, e cila mund të çojë në trazira sociale dhe politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë