Irena Beqiraj

Influencues apo idiotë të privuar?


Mediat sociale kanë revolucionarizuar mënyrën se si ne lidhemi dhe ndërveprojmë me njëri-tjetrin. Ato kanë shkaktuar gjithashtu edhe një fenomen të ri - atë të influencuesve të mediave sociale.

Termi "influencues" ose "ndikues" u përdor për herë të parë në vitin 1662, shumë përpara se njerëzimi të kishte ndonjë ide se në një të ardhme do të ekzistonin mediat sociale. Në atë kohë, ndikuesit ishin udhëheqës fetarë, filozofë ose aristokratë të pasur. 

I tillë ishte përshembull  mbreti Louis XIV i Francës, i cili ndikoi në tendencat e modës në Evropë.

Sot për mua ndoshta edhe për ju, termi "ndikues" ose influencues përshkruan një grua apo një burrë që bën gjithçka  për vëmendje. Studimet e fundit tregojnë se 86 për qind e njerëzve midis 13 dhe 38 vjeç do të dëshironin të bëheshin influencues në media sociale. Madje një aspekt tjetër edhe më dëshpërues është se "influencues në media sociale" dhe "Youtuber" dolën në vendin e dytë dhe të tretë në listën e aktiviteteve që fëmijët do të donin të bënin kur të rriteshin. 

Në fund të fundit, kush mund t'i fajësojë fëmijët – ata shohin njerëz "të bukur" në vende ekskluzive që kanë një jetë  "të pasur" duke bërë thuajse asgjë.

"Influencuesit me deri në 1 milion ndjekës mund të marrin 10.000 dollarë për postim, në varësi të platformës, dhe ato me më shumë se 1 milion ndjekës,  mund të fitojnë edhe 100.000 dollarë.  Disa mund të marrin edhe 250.000 dollarë për një postim! Sidomos nëse përmbajtja është në YouTube", thotë Joe Gagliese, bashkëthemelues i Viral Nation.

Duke marrë parasysh që sot rreth 58% e popullsisë së botës janë përdorues të mediave sociale,  influencuesit me anë të klikimeve edhe pëlqimeve, apo shkëmbimit të komenteve "me ndjekësit  e tyre të dashur" janë në kërkim të një pjese sado të vogël të tregut të reklamave digjitale, i cili sot vlen 13.8 miliard dollarë.

Për ca para më shums sot një influencues zgjedh të shpërndajë selfie në vende ekzotike. Ai ose ajo është në kërkimin e dëshpëruar të videos virale të rradhës  ku qan, qesh, dashuron, shan , tradhëton , martohet, mbetet shtatëzënë. Video e imazhe të mbushura herë me histori dramatike  e herë me iluzionin  e lumturisë edhe kamjes. Influencuesja kur e kupton që fundshpina e saj mund të marrë më shumë klikime se fytyra  nuk i privon ndjekësat nga kënaqësia e ekspozimit të saj. Në të gjitha rastet qëllimi është i thjeshtë një përtac funksional kërkon të pasurohet ndërsa inkurajon cektësinë, materializmin, dezinformimin dhe injorancën.

Por informacioni i pasaktë, imazhet e videot e manipuluara, suksesi i rremë i cili ofrohet rëndom nga influencuesit e mediave sociale ka rezultuar toksik për shëndetin mendor të të rinjve sidomos të vajzave adoleshente. Prej 2003-shit deri në 2023, ka pasur një rritje eksponenciale  të ankthit, depresionit  vetëdëmtimit, dhe çrregullimeve  të të ngrënit, tek njerëzit nën moshën 21 vjeç.

Në terma absolutë, ankthi, depresioni, vetëdëmtimi  dhe çrregullimet e të ngrënit kanë rezultuar më të larta tek vajzat sesa tek djemtë.

A ka nevojë kjo botë për influencues ose ndikues të cilët nuk janë në gjendje të prodhojnë art, spektakël, ide apo të shpërndajnë informacion? Për njerëz që suksesi i tyre varet nga miratimi i ndjekësve edhe ata janë në mëshirën e tyre?  A mos do ishte më e saktë t’i quanim idiotë të privuar?

Kjo botë, vajzat e djemtë tanë kanë nevojë për krijues që dhurojnë art, informacion, njohuri e  shkencë. Ndodh që kapitali social dhe autoriteti që ata fitojnë  t'i bëjë ata edhe influencues , një term që një krijues pothuajse nuk e përdor kurrë.


Copyright © Gazeta “Si”