Kujdesi për lëkurën duhet të jetë i vazhdueshëm, por gjatë verës duhet të jetë më i madh, jo vetëm për hidratimin dhe mbrojtjen nga dielli, por dhe për të shmangur disa infeksione që janë më të shpeshta në periudhën e plazhit. Në një intervistë për Gazetën “Si” mjekja dermaltologe Albana Lufi nga klinika dermatologjike-estetike “Dermovita” shpjegon se cilat janë infeksionet e mundshme gjatë verës dhe si të mbrohemi gjatë kësaj periudhe.
-Cilat janë infeksionet e lëkurës që hasen më shumë në verë?
Infeksionet më të shpeshta në periudhën e verës janë infeksionet bakteriale dhe mykotike. Nga infeksionet bakteriale përmendim Imetigon. Ky infeksion bakterial sipërfaqësor i lëkurës është shumë infektues, që shkaktohet nga streptokoku ose stafilokoku dhe haset mjaft shpesh në periudhën e verës. Ky infeksion transmetohet nga njeriu tek njeriu nëpërmjet lëkurës dhe mukozave. Sëmundja shfaqet në çdo moshë, por më tepër prek fëmijët e vegjël. Impetigo lokalizohet më shpesh në fytyre, përreth buzëve dhe hundës. Ajo mund të përhapet me anën e gërvishtjeve nga vatrat e infektuara në pjesë të tjera të trupit si në duar, parakrah, etj.
Plazhi, pishinat ndikojnë në përhapjen më të shpejtë të infeksionit. Ne disa raste dhe një pickim mushkonje e cila infektohet mund të ndikoje në shfaqjen e kësaj patologjie. Fillimisht shfaqet një flluskë e vogël e rrethuar nga një zonë e skuqur dhe pas pak ditësh formohet kore në sipërfaqe me ngjyrë të verdhë.
-A janë infeksionet mykotike më të shpeshta në periudhën e verës?
Përdorimi i dusheve publike, i pishinave, temperaturat e larta dhe lagështira favorizojnë zhvillimin e infeksioneve mykotike. Infeksioni mykotik përhapet nga njerëzit që vuajnë nga ky infeksion dhe përdorimi i mjeteve sanitare të përbashkëta, përdorimi i rrobave të përbashkëta dhe i pantoflave, por infeksioni mykotik mund të merret dhe nga toka ose kafshët e infektuara. Në periudhën e verës me shpesh shfaqet infeksioni mykotik në këmbë. Ky infeksion përfshin dhe hapësirat midis gishtave dhe lëkura është e zbardhur, e skuqur dhe e çarë. Gjithashtu në lëkurën e këmbëve kryesisht në pjesën e brendshme të këmbës shfaqen puçrra të vogla me ujë ose qelb dhe rrjepje ose trashje të lëkurës. Kruajtja është gjithmonë prezente. Një tjetër infeksion është edhe pitiriasis vesicolor , është një infeksion mykotik sipërfaqësor i lëkurës që merret mjaft shpesh ne periudhën e verës. Ky infeksion shfaqet tek personat e predispozuar dhe ata që djersiten shumë. Elementet e këtij infeksioni kryesisht njolla të bardha ose kafe shfaqen në qafë, shpinë, bark dhe kanë tendencë përhapje. Pacienti sheh praninë e këtyre njollave vetëm pas përfundimit të plazhit. Pacientet që paraqesin probleme në lëkurë si infeksionet bakteriale apo dhe ato mykotike duhet të drejtohen tek mjeku për të marrë mjekimin e duhur që në momentin e shfaqjes së problemit dhe jo të drejtohen në farmaci për të marrë një pomadë për të lyer vatrat ku paraqesin shqetësim. Janë jo të pakta rastet kur pacientet drejtohen tek mjeku dermatolog pas dështimit të mjekimit të dhëne nga farmacistët. Çdo patologji ka specifiken e vetë dhe përdorimi i gabuar i mjekimit do ta rëndonte më tepër patologjinë.
-Çfarë kujdesi duhet të tregojmë ndaj ekspozimit në diell?
Është shume e rëndësishme të mbrojmë lëkurën ndaj rrezatimit të fortë diellor jo vetëm për të shmangur plakjen e lëkurës dhe formimin e njollave kafe ose hiper pigmentimeve por dhe të parandalojmë shfaqjen e kancerit të lëkurës .
-Përdorimi i kremrave foto-mbrojtës me filtër të lartë për fytyrën dhe trupin sipas tipit të lëkurës është mjaft i rëndësishëm. Përdorimi i tyre rekomandohet 30 minuta para daljes në diell dhe të përsëritet përdorimi i tyre çdo 2 deri 3 orë dhe me shpesh kur lahemi në det. Orët më të përshtatshme për t’u ekspozuar në diell janë paradite deri në orën 11 dhe pas orës 3 pasdite.
-Si mund të shmangim djegiet e lëkurës tek fëmijët dhe të rriturit?
Personat që bëjnë djegie here pas here të lëkurës janë më të predispozuar për t’u prekur nga kanceri i lëkurës. Për këtë arsye rekomandojmë ekspozimin gradual në diell dhe përdorimin e vazhdueshëm të kremrave kundra diellit. Në rastet kur kemi djegie të lëkurës duhet t’i drejtohemi mjekut dermatolog për të marrë mjekimin përkatës i cili ndryshon në varësi të gradës dhe sipërfaqes se prekur. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë hidratimin e vazhdueshëm të lëkurës së fytyrës dhe trupit konsumimin e ujit (të paktën dy litra në ditë) të frutave dhe perimeve. Intervistoi Anxhela Celanji
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.