Shendet

Infeksionet e rralla gjatë shtatzënisë lidhen me një rrezik më të lartë të autizmit tek foshnjat

Një studim i ri ka zbuluar se fëmijët me infeksione të transmetuara gjatë shtatzënisë kanë rreth tri herë më shumë gjasa të diagnostikohen me autizëm më vonë në jetë dhe më shumë se shtatë herë më shumë gjasa të diagnostikohen me paaftësi intelektuale, krahasuar me fëmijët që nuk e kanë pasur atë infeksion.

Kjo tregon se infeksione të caktuara, të transmetuara te fetusi gjatë shtatzënisë, mund të kenë pasoja afatgjata në zhvillimin e trurit, vunë në dukje autorët.

Infeksione të tilla, të njohura si TORCH janë një grup infeksionesh që mund të kalojnë nga gruaja shtatzënë te fetusi, përfshijnë sifilizin, rubeolën, toksoplazmozën, citomegalovirusin dhe herpesvirusin. Për dallim nga shumë infeksione të zakonshme, këta patogjenë ndonjëherë mund ta kalojnë placentën dhe të ndikojnë drejtpërdrejt te fetusi, duke rritur rrezikun e abortit spontan, lindjes së fëmijës së vdekur dhe komplikacioneve të shtatzënisë.

“Megjithëse këto infeksione kongjenitale janë të rralla, disa prej tyre mund të parandalohen, gjë që i bën ato të rëndësishme nga këndvështrimi i shëndetit publik,” tha Renee Gardner, studiuese në Departamentin e Shëndetit Publik Global.

Studimi përfshiu 3,7 milionë njerëz të lindur në Suedi midis viteve 1987 dhe 2021. Nga këta, 975 ishin diagnostikuar me një infeksion kongjenital TORCH. Studiuesit i ndoqën pjesëmarrësit për deri në tri dekada për të shqyrtuar nëse infeksionet lidheshin me diagnoza të mëvonshme dhe rezultate në arsim.

Megjithëse këto infeksione përbëjnë një pjesë shumë të vogël të të gjitha rasteve të autizmit në popullatë, fëmijët e prekur kanë një rrezik të shtuar si për autizmin, ashtu edhe për paaftësinë intelektuale. Autorët vunë në dukje se një në pesë fëmijë të lindur me një infeksion TORCH mund të zhvillojë autizëm më vonë.

Përveç autizmit, lindja me infeksione të tilla lidhej me një rrezik më të lartë të paaftësisë intelektuale në të gjitha nivelet. Rreziku i paaftësisë intelektuale nga e rëndë në shumë të rëndë ishte deri në 30 herë më i lartë krahasuar me fëmijët pa infeksion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë