Treg

Industria dhe shërbimet shtojnë vendet e punës, por të rinjtë të diskriminuar nga tregu

INSTAT raporton se punësimi është rritur në sektorin e industrisë dhe atë të shërbimeve, kurse sektori i bujqësisë ka shënuar ulje në këtë drejtim.

Të dhënat tregojnë se rritja e punësimit në sektorin e industrisë ka qenë 3 % dhe në sekorin e shërbimeve 3,6 %, kusre në sektorin e bujqësisë ka shënuar ulje me 1,8 %.
Krahasimisht me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e parë 2019, punësimi për popullsinë 15 vjeç e ka shënuar rritje. Punësimi ka pësuar rrritje gjithashtu për këtë periudhë në sektorin e shërbimeve dhe në sektorin e industrisë, ndërsa në sektorin e bujqësisë mbeti në të njëjtin nivel.

Shkalla e punësimit për meshkujt mbetet sërish më e lartë se sa për femrat. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e punësimit për meshkujt është rritur me 0,9 pikë përqindje dhe për femrat me 1,4 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 41,0 %.


Papunësia

Të rinjtë mbeten kategoria më e diskriminuar në tregun e punës. Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 22,2 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie, por mbetet e lartë. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e parë të vitit 2019 është 2,3 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e katërt 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej 0,1 pikë përqindje.

Ajo që mbetet shqetësuese është pjesa e popullsisë që nuk kërkon punë pasi është dekurajuar nga tregu. Gjatë tremujorit të parë 2019, 10,3 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 8,3 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë