Ngjarje

Indeksi zbatimit të ligjit, Shqipëria vendi më i korruptuar në Europë

Një studim i fundit i publikuar nga “World Justice Project” një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregon se Shqipëria është një ndër vendet më të korruptuara të botës përsa i përket zbatimit të ligjit.
Nga 126 shtete të studiuara vendi ynë u rendit i 71-ti, duke mbetur e pandryshuar në raport me një vit më parë. Studimi u krye në bazë të faktorit kryesor për ecurinë e një shteti siç është, zbatimi i ligjeve në praktikë, përmes sondazheve dhe pyetësorëve drejtuar popullatës në mënyrë rastësore. Sipas raportit, zbatimi efektiv i ligjit lufton varfërinë, sëmundjet dhe i mbron njerëzit nga padrejtësitë.

Raporti tregoi se Shqipëria përfshihet në vendet që kanë një zbatim të dobët të ligjeve, ndërkohë që Maqedonia në vend te 56 dhe Bosnja në vend të 60, janë përcaktuar dy ndër vendet me qeverisjen më të fortë në Ballkan.

Shqipëria konsiderohet si një vend i korruptuar në të gjitha instancat shtetërore dhe për këtë pjesë të studiuar renditet në vendin e 103 nga 126 vendet (duke u përkeqësuar në raport me një vit më parë kur ishte në vend të 93), me 0.35 pikë, duke u përfshirë kështu në listën e 25 vendeve më të korruptuara në botë, si Nigeria, Moldavia, Ukraina, Venezuela, Pakistani, Afganistani, Meksika.
Gjithashtu, Shqipëria është perceptuar si vendi më i korruptuar në Europë. Për sa i përket kufizimit në fuqinë e qeverisë tek qytetarët, renditet në vend të 79 ndërsa, për qeverinë e hapur është në vend të 77.
Të dhënat tregojnë se për korrupsionin dhe zbatimin e ligjeve renditet në vend të 97, ndërsa për të drejtat civile në vend të 100, të dyja shifra të përkeqësuara në krahasim me vitin e kaluar. Raporti tregoi se për sa i përket, rendit e sigurisë (në vend të 31) dhe të drejtat themelore (në vend të 49) u cilësuan si treguesit më të mirë të vendit tonë.
Në rang global shtetet të cilat patën vlerësimin më të lartë renditen Danimarka në vendin e parë, Norvegjia në vendin e dytë dhe Finlanda në vendin e tretë, të cilat nuk kanë pasur ndonjë ndryshim që nga viteve e kaluara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë