Drejtësia

Inceneratori i Elbasanit, SPAK kërkon 10 vite burg për Lefter Kokën dhe 4 për Alqi Bllakon

Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 10 vite burg për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe dhe 4 vite për ish deputetin e PS, Alqi Bllako, të përfshirë në skemën e inceneratorëve.

Më herët, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm, Alqi Bllako për gjykim të shkurtuar.

Në rast se shpallen fajtorë, ata do të përfitojnë ulje të dënimit me një të tretën. I njëjti vendim është marrë edhe për 6 të pandehurit e tjerë për aferën e inceneratorit të Elbasanit.

Samir Visha, avokati i Lefter Kokës, e cilësoi vendimin si skandaloz. Ai tha se në SPAK janë anashkaluar mijëra denoncime për shpërdorim detyre, po për shkak të presionit politik mbi këtë çështje është marrë ky vendim.

Avokati i Lefter Kokës, Saimir Visha

"Është rasti i parë që kërkon 10 vite burg. Akuzohen për abuzim me detyrën. Ka shumë qëndrime të ndryshme. Këtu në këtë gjykatë janë gjykuar më dhjetra të akuzuar, për këtë veprër penale ka kaluar në ekstremitet, - tha Visha. - Për mendimin tim ky është skandal. Më qindra çështje i kanë kaluar SPAK-ut për shpërdorim detyre dhe janë anashkaluar. Kjo ka ndodhur për shkak të presionit poltik. Shpresojmë që prokuroria ta rishikojë çështjen, sepse këto vendime janë katërfishuar dhe janë të padrejta", - shtoi ai.

SPAK akuzon ish-zyrtarët e lartë se janë përfshirë në korrupsion, i kanë shkaktuar shtetit një dem prej 4 milionë eurosh nëpërmjet një skeme me lëshimin e faturave fiktive në punët e kryera në incenerator dhe kanë përfituar udhëtime dhe pagesa nga biznesmeni Klodian Zoto.

Sipas prokurorisë, Koka në cilësinë e ish-ministrit ka përfituar rreth 3.7 milionë euro ryshfet nga tre administratorët e kompanisë Albtek Energy: Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja për dhënien me koncesion dhe ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.

Koka u arrestua fillimisht i akuzuar për korrupsion në procedurën për inceneratorin e Fierit, ku dyshohet se ka përfituar 1,2 milionë euro.

Gjithashtu, SPAK pretendon se Koka ka përfituar 3,7 milionë euro për favorizimet në inceneratorin e Elbasanit, për punë publike të pakryera.

Pjesë e dosjes për gjykim janë edhe Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k, duke ngritur akuzat përkatëse ndaj tyre në bazë të provave të mbledhura gjatë hetimit.

Të gjithë të pandehurit, akuzohen për “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Pretenca e SPAK për të akuzuarit
Lefter Koka 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Alqi Bllako 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Mirel Mërtiri 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Stela Gugallaj 7 vite burg (4 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Klodjan Zoto 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Pëllumb Abeshi 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Jonida Zeqo 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë