Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi tha se gjatë tenderit për incineratorin e Elbasanit ka ndjekur të gjitha procedurat dhe detyrat që i ka ngarkuar ligji.
Por, Agaçi mohoi se ishte vënë në dijeni në qershor të 2020-s nga Sekretari i Ministrisë së Financave, Arben Kraja për nisjen e një inspektimi financiar për shkelje të rënda të ligjit nga kompania Albtek Energy.
“Sekretari i Qeverisë Rama nuk dha asnjë përgjigje se cilat ishin gjetjet e këtij inspektimi, cilat ishin shkeljet ligjore të konstatuara, kush ishin personat përgjegjës dhe çfarë masash u morën apo nëse dikush u shpërblye për të mbyllur gojën dhe lënë në harresë një procedurë ligjore që do të nxirrte zbuluar zullume me ministra, deputetë dhe kryebashkiakë”, tha PD.
Agaçi tha se detyrat dhe përgjegjësitë që i ngarkon ligji për funksionimin e Këshillit të Ministrave janë të qarta, por u shpreh se në morinë e shkresave që kalonte nëpër duar, nuk do të ishte çudi që shkresa në fjalë për nisjen e inspektimit ndaj Albtek Energy të mos i ishte raportuar.
Deputetët e PD hodhën dyshime mbi sinqeritetin e kësaj deklarate. Sipas PD, inspektimet financiare të këtij lloji bëhen me kërkesë të Kryeministrit dhe kjo dëshmon se Edi Rama dhe Engjëll Agaçi janë vënë në dijeni të këtij inspektimi.
“Praktikisht, Edi Rama dhe qeveritarët e tij kanë pranuar se incineratori i Elbasanit ishte një aferë korruptive. Sekretari i Qeverisë Rama, ashtu si administratori i inceneratorit të Fierit, nuk mbante mend se në qershor 2020, pikërisht institucioni ku ai punonte prej 7 vitesh, kishte urdhëruar kryerjen e një auditi të inceneratorit të Elbasanit për shkelje të rënda ligjore”, deklaroi PD.
Agaçi hodhi poshtë çdo pretendim se Qeveria ka miratuar kontratën në rastin e incineratorit të Elbasanit. Ai tha se Qeveria ka miratuar vetëm mbështetjen financiare pas marrjes së dakordësisë nga ana e Ministrisë së Financave, ndërsa si procedurat, ashtu kontratën e ka negociuar Ministria e Mjedisit.
Sekretari i Kryeministrisë u shpreh se vendimi u mor me procedurë të përshpejtuar, duke u bazuar në vendimin e emergjencës mjedisore të shpallur nga këshilli bashkiak i Elbasanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



