Në një konferencë të gjatë për shtyp, Lulzim Basha deklaroi se SPAK dhe Policia e Shtetit janë vënë nën presion nga Qeveria për të sabotuar hetimet në lidhje me incineratorët.
Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se disa prej zyrtarëve që u kanë dalë emrat gjatë hetimeve të komisionit duhet të ishin sot në paraburgim, ndërsa shtoi se ka informacione që po ushtrohet presion ndaj SPAK. Për këtë fajësoi Edi Ramën dhe u bëri thirrje prokurorëve të posaçëm që të mos stepen nga hetimet prej këtyre presioneve.
“Thirrja ime ndaj SPAK është mos u intimido nga presionet e Edi Ramës. Presioni po bëhet, disa burime duhen mbrojtur. Për një gjë siguroj se po i bëhet presion. Ata janë zyrtarët më të mbrojtur të shtetit, kanë mbrojte të hapur nga SHBA. Po u jap edhe njëherë sot mbështetje nga PD, nga unë personalisht për t’i shkuar deri në fund kësaj afere. Informacionet që ne kemi bëhet fjalë për kërcënime të të gjitha niveleve”, tha ai.
Basha ftoi që edhe mediat t’i japin mbështetjen e nevojshme SPAK, ndërsa shprehu edhe pakënaqësi ndaj ecurisë së hetimit dhe procedurave të ndjekura në këtë hetim.
Presioni i dytë që po bëhet, sipas Bashës, është ndaj Policisë së Shtetit që të mos i japë të dhënat e kërkuara Komisionit Hetimor Parlamentar. Edhe këtu fajësoi Ramën.
“I bëj thirrje Gledis Nanos, Policia e Shtetit nuk mund të mohojë informacionin e lëvizjes së personave, për të cilët është bërë kërkesa. Ja bëj këtë kërkesë, nga informacionet e ardhura nga PD, se ndalimi i raportimit të të dhënave të sistemit TIMS nuk është bërë me urdhër të Nanos, por me urdhër politik nga lart. Nuk ka lart, kur vjen puna te zbatimi i ligjit. Ndaj, z. Gledis Nano i bëj thirrje që brenda ditës së hënë të japë të dhënat, se si ish-ministër i Brendshëm, që kam kontribuar në instalimin e sistemit TIMS, e di sa e lehtë është t’i kthehet përgjigje komisionit hetimor nëse këta persona kanë udhëtuar së bashku dhe sa herë. I kujtoj Nanos se mosbashkëpunimi i Policisë së Shtetit me komisionin përbën jo vetëm vepër penale”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.