Ngjarje

Incidenti në uzinën ushtarake, MM: Kemi ndaluar tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase

Një incident ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës në Uzinën ushtarake në Gramsh, ku tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë.

Pas incidentit kanë mbetur të plagosur dy ushtarakë shqiptarë.

Më shumë se 2 orë pas ngjarjes ka reaguar Ministria e Mbrojtjes, ku nënvizon se shtetasit e huaj janë ndaluar.

“Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.

Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Gjendja shendetesore e dy ushtarakeve shqiptare është e stabilizuar”, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Për ngjarjen reagoi edhe Kryeministri Edi Rama.

"Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël! Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh!.

Shërim të shpejtë të lënduarve dhe tani të presim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje!", shkroi Rama në Twitter.

Pak para mesnate reagoi edhe Ministri i Mbrojtjes, Peleshi.

"Mirënjohje dy ushtarakëve tanë që sakrifikuan për të ruajtur një objekt strategjik siç është uzina e Gramshit. Bisedova me ta dhe u garantova mbështetjen e pakursyer timen dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. Pranë dy ushtarakëve shkoi edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Arben Kingji.
Shërim të shpejtë dy efektivëve tanë!:, shkroi Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë