Ngjarje

Incidenti me gazetaren në Dajt, Çuçi: Polici është larguar nga detyra dhe do ndiqet penalisht (Video)

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka dënuar incidentin e ndodhur një ditë më parë, ku një punonjës policie shtyu gazetaren Anila Hoxha dhe operatorët drejt greminës në Dajt, duke rrezikuar jetën e tyre, ndërsa ata ishin duke bërë detyrën.

Në një postim në Facebook, ministri Çuçi njofton se efektivi është larguar nga puna. Po ashtu bëhet me dije se polici do të ndiqet penalisht.

“Lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, dua t’ju informoj se efektivi i policisë është larguar nga detyra. Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht”.

Çuçi shkruan se i kërkon “ndjesë dhe e falënderoj znj. Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë”.

Ministri garanton “se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero. Gjej gjithashtu rastin t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu”, njofton ministri.

Incidenti ndodhi të shtunën pasdite në Qafë Mollë, kur gazetarët po ndiqnin nga afër operacionin për nxjerrjen e trupit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha, i cili u gjet i vrarë pasi kishte humbur gjurmët prej të paktën dy javësh.

Gazetarët u përballën me një oficer policie, tashmë i pezulluar nga detyra, i cili i shtyu duke i hedhur ata përtokë në një zonë të rrezikshme malore, me pretendimin se kishin kaluar shiritin e vendosur nga policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë