Pas dy viteve mësim online të hënën nis viti i ri akademik dhe studentët iu rikthehen auditorëve. Por ky vit nisi ndryshe pasi në kuadër të masave anti-Covid që do të respektohen në universitete, studentët duhet të jenë edhe të vaksinuar.
Në hyrje të “Fakulteti i Filologjikut”, ku qëndrojnë administratorë dhe punonjës të policisë për të kontrolluar dokumentet verifikuese, shumë studentë debatojnë me ta sepse duan të futen pa asnjë kufizim në universitet.
“Nuk dua të vaksinohem dhe nuk kam para për testin PCR çdo javë. Studentët kanë qenë të grumbulluar edhe nëpër kafe pse duhet të ndalohen në auditorë”, thotë për Gazetasi.al Gledisi një student i cili qëndron përballë derës së “Fakultetit Filologjik” duke debatuar me policët.
Gati në shtyrje mes njëri-tjetrit për të hyrë në auditorë, studentët nën britma thonë se do futen në universitet pa asnjë rregull tjetër përveç mbajtjes së maskës.
“Universiteti është i yni dhe askush nuk mund të na ndalojë me argumentin e vaksinimit”, thotë një tjetër student i vitit të tretë.
E vështirë është paraqitur situata edhe tek “Fakulteti i Shkencave të Natyrës” ku studentët përsëri kanë krijuar një mini-protestë duke debatuar me policët të cilët nuk i lejojnë të futen brenda për shkak se nuk kanë treguar dokumentet e nevojshme.
“Është e kotë kjo që bëjnë se do ikin nga këtu e do grumbullohen në kafe. Kështu që nuk ka kuptim të bllokojnë auditorët. Unë jam vaksinuar më parë se më duhej për tek praktika e punës, por nuk mund ta mohoj që prapë kam frikë”, tregon Amarilda një studente e vitit të tretë.
Në përgjithësi studentët e grumbulluar janë ata të viteve të dyta dhe të treta, të cilët në dukje janë kategorik në vendimet e tyre. Shumë prej tyre tregojnë se vaksina është prodhuar për një kohë të shkurtër dhe nuk ka efikasitet, e të tjerë mendojnë se do të ndikojë në sterilitet. Studentët thanë se ishin të gatshëm për të vijuar edhe protesta nëse në ditën në vijim do të jenë me “roje të koka për t’u vaksinuar” siç thonë ata.
“Jo po të na vinë edhe në shpi kur flemë të na bëjnë vaksina”, dëgjohet duke thënë një tjetër student.
Pyetjes se çfarë ka ndikuar në vendimet e tyre për të mos e bërë vaksinën, shumica e studentëve iu përgjigjën:“Kemi dëgjuar nga ata që kanë bërë vaksinën dhe ato që thuhen në rrjete sociale”.
Situata duket më ndryshe në “Fakultetin e Politeknikut” në Tiranë, ku mungojnë konfrontimet, por jo studentët e pa vaksinuar.
“Unë nuk jam vaksinuar sepse nuk besoj te efikasiteti i vaksinës, nuk e di se çfarë efektesh afat gjata ka kjo vaksinë, ”i thotë Gazetasi.al Klejda një studente e vitit të dytë tek Fakulteti i Politeknikut.
Në grupin ku qëndronte e reja prej 7 vetash asnjë nuk ishte i vaksinuar dhe sot kishin planifikuar të tregonin testin PCR.
“Unë jam në vit të parë dhe gjatë kësaj javë bëra dozën e parë. Të gjithë e kanë bërë vaksinën nuk ka ndonjë gjë. E lash deri tani se më duhet të plotësoja periudhën pas Covid-19”, tregon Elsi një student në pritje për të hyrë me kartën e vaksinimit në dorë.
Studentët thanë për Gazetasi.al se ishin në vitin e dytë të fakultetit dhe ishin tepër të lumtur për rikthimin në universitet, por jo për kushtet që janë vendosur për rikthimin.
“Askush nuk më kushtëzon të bëj një gjë që nuk e dua. Është kundër ligjit, unë do dorëzoj test PCR çdo javë,” thotë Elisjeni një tjetër student po në Fakultetin e Politeknikut.
Studentët ishin paralajmëruar më herët se duhet të paraqiteshin me dokumentet si, certifikata vaksinimi, vërtetim nëse kanë kaluar Covid-19, test PCR, ose kanë bërë një dozë vaksine për të vijuar mësimin në auditorë.
Ndërkaq universitet e rretheve nuk kanë ndjekur të njëjtën rrugë si Universiteti i Tiranës. Ata kanë vendosur të pranojnë edhe studentët e pa vaksinuar, duke shkelur kështu urdhrat e lëshuar kohë më parë nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit.
Në Gjirokastër, Korçë, Elbasan dhe Durrës, rektoratet me vendimet e tyre kanë pranuar studentët në auditorë.
Zëvendës Rektori i universitetit “Fan Noli” në Korçë, Artur Adili, është shprehur se edhe studentët e pavaksinuar do të lejohen në auditor dhe të gjithë do të udhëzohen të marrin vaksinën. Më tej ai shtoi se pavarësisht urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë nuk mund të privohen studentët nga arsimimi.
Në një deklaratë për mediet dy ditë më parë Rektori Artan Hoxha shpjegoi se Universiteti i Tiranës ka numrin më të madh të studentëve të vaksinuar me 50% (20.000 studentë) e në këtë numër kryesonin ata që do të shkonin në vit të parë.
Me rregullin e parë të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, universiteti do të niste që javën e shkuar në datën 11 tetor, por u shty për qëllim të vaksinimit të studentëve, gjë e cila duket nga shifrat se nuk ka sjellë shumë rezultat…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)










