Politike

Inceneratori i Tiranës, Tabaku me raportin e KLSH: 61 mln euro të pajustifikuara

Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku doli në konferencën për shtyp me një raport të KLSH lidhur me kontratën koncesionare të inceneratorit të Tiranës.

“Shqiptarët  do të paguajnë shtesë 104 mln euro vetëm nga indeksimi i inflacionit dhe mosllogaritja e saktë e volumit të plehrave. Kjo do të thotë që vlera e kontratës se operimit për incineratorin e Tiranës do të shkojë në 300 mln euro dhe jo 223 milionë euro, sa mashtron Ministria e Financave

 Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit theksohet se kontrata për incineratorin e Tiranës ia kalon të gjithë rrezikun taksapaguesit shqiptar. Më konkretisht, nëse kompania e inceneratorëve nuk arrin të sigurojë mbetjet e garantuara në kontratë, do të jenë shqiptarët ata që do të paguajnë për fitimin e inceneratorit.

 KLSH thekson se tejkalimi i sasisë së plehrave vendos në rrezik Buxhetin e Shtetit për pagesat, si dhe rrit fitimet e koncesionarit në mënyrë të pakufizuar”, tha Tabaku.

Sipas saj, “KLSH ka zbuluar se në kostot e inceneratorit të Tiranës mungon zëri i shpronësimit të tokës private në të cilin ai do të shtrihej”.

“Kjo zë 40% të të gjithë sipërfaqes së territorit të projektit me vlerë shpronësimi 214.5 milionë lekë, por auditimi tregon se kosto është fshehur dhe nuk përfshihet në projekt”, shtoi ajo.

Më tej, Tabaku theksoi: “Ajo që KLSH vëren vazhdimisht në analizën e këtij koncesioni/PPP është se Ministria e Financave  ka bërë përherë një sy qorr kur vjen puna tek kostot e fryra apo të fshehura.  Sipas KLSH-së, më shumë se 61 milionë euro kosto të paraqitura në studimin e fizibilitetit janë të paargumentuara, duke çuar në rritjen artificiale të tarifës së shërbimit.

Kjo do të thotë se çmimi prej 29 euro për çdo ton mbetje që sot paguajnë qytetarët e Tiranës është pasojë e një kontrate korruptive, e hartuar për të vjedhur miliona euro çdo vit”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë