Dosje

Inceneratori i Fierit/ A veproi SPAK me vonesë? 11 personat po prisnin arrestimin, i kishin emrat në dosjen e marsit

Gazeta Si - I nisur si një hetim nga denoncimi i Nismës “Thurje” në datë 9 korrik 2020, çështja numër 187 u hap si fillim për akuzën e shkeljes së barazisë në tenderë dhe shpërdorim detyre.

Katër muaj pas këtij denoncimi në SPAK, trokiti edhe Partia Demokratike e më tej LSI-ja, e cila u ankua penalisht se ishin konsumuar të njëjtat krime për inceneratorin e Fierit.

Në dosjen hetimore që Gazetasi.al e publikoi ekskluzivisht gjatë episodit të parë, tregohet se si brenda të njëjtit muaj të të njëjtit vit, një tjetër parti kërkoi që SPAK-u të vihej në lëvizje.

“Një tjetër kallëzim për të njëjtin fakt penal është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme nga Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, me datë 22.10.202, mbi të cilin është regjistruar procedimi për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës”.

Duke i bashkuar të treja denoncimet, SPAK u duk se nuk po kryente asnjë lëvizje dhe se inceneratorët po mbeteshin vetëm një histori politike për akuza dhe kundër akuza. Deri në ditën kur një denoncim i katërt i PD-së i trazoi ujërat.

Inceneratori i Fierit

“Partia Demokratike e Shqipërisë, me datë 08.03.2022, ka paraqitur një kallëzim të ri, regjistruar nga prokuroria si procedimin penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Më datë 8.3.2022, ky procedim është bashkuar nga Prokuroria e Posaçme me procedimet e mëparshme për të njëjtin fakt penal të vitit 2020, për të cilin ka zhvilluar hetime paraprake”.

Prokurorët e Posaçëm, në të vërtetë kishin regjistruar emrat e personave nën hetim midis tyre si protagonistin e nivelit më të lartë zyrtar një ish-ministër, si Lefter Koka, aktualisht i burgosur në burgun e Durrësit.

Megjithatë hetimi shpërtheu pak ditë pas kallëzimit të katërt, ku SPAK trokiti në gjykatë dhe kërkoi masë sigurie, jo vetëm për ish-zyrtarë, por edhe masa sekuestrosh, midis tyre  për “Integrated Technology Waste Treatment Fier” me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, “Integrated Technology Services”.

Për ish-ministrin që iu pre mandati i arrestit me vendim të Gjykatës së Posaçme, ky ishte vetëm fillimi i fundit.

Gjykata shpalli bllokimin e katër pasurive me vlerë 146 milionë lekë dhe tha se “këto pasuri ndodhen në objektin 'Pistë në det'”.

Por si të lidhur me të, ishin të dyshuar edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm Alqi Bllako, i cili dyshohet se u përfshi në korrupsion dhe u favorizua nga koncensionari, madje duke iu punësuar i ati.

Për këtë arsye, u urdhërua që bllokimet pasurore të preknin edhe familjarin e ish-numrit dy në Ministrinë e Mjedisit, shtetasit Edmond Bllako, të cilit iu vendosën nën sekuestro preventive dy apartamente, njëri me sipërfaqe 99 metra katrorë në rrugën e Elbasanit dhe tjetri 77 metra katrorë.

Lefter Koka

SPAK llogariti se këto dy objekte kishin sërish vlerën e 144,246 Euro, “që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë”, - thotë gjykata.

Por listës së 10 të dyshuarve të marsit, iu shtuan edhe 11 të tjerë, të cilët përmenden me iniciale dhe u kuptua që në atë kohë, se shtegu i tyre ishte i hapur për të shkuar në burg.

Megjithatë, prokurorëve iu deshën 9 muaj të binden se provat ekzistonin jo vetëm ndaj Klodian Zotos, por edhe ndaj shtetsave, Arenc Myrtezani, Regan Merdani, Gentian Zifla, Enver Sheshi, Robert Shabani, të kanë organizuar dhe vënë në funksionim skema mashtruese në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me qëllim fitimin material për llogari të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, që ka konsistuar në përfitimin e kreditimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Po ashtu, gjatë periudhës 01.03.2017-01.05.2017, shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, ka realizuar blerje fiktive nga shoqëritë “Best Services” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Robert Shabani, “Froggy”sh.p.k, me administrator Regan Merdani, “Frogy 03” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Robert Shabani, “Itneg”sh.p.k, me administrator Gentian Zifla; “Leli-17”sh.p.k, me administrator Enver Sheshi; “Pupa Services” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Regan Merdani; “R.B-General Servis” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Regan Merdani dhe “R.S.I&T Group” sh.p.k, me administrator Robert Shabani, në vlerën totale 359,490,120 (treqind e pesëdhjetë e nëntë milion e katërqind e nëntëdhjetë mijë e njëqind e njëzet) lekë”.

Këto kompani të përdorura për punë fiktive që ishin firmosur subjektivisht nga zv.presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, i ngarkuar me detyrën për të vlerësuar punimet, rezultonin në dosjet e muajit mars dhe për këtë arsye mbetet e paqartë vonesa e prokurorëve të SPAK për të vepruar.

"Kjo shpjegon arsyen se përse gjashtë nga të dyshuarit nuk u gjetën në adresat përkatëse”, - thonë burimet e policisë, sipas të cilëve nuk bëhet fjalë për dekonspirim.

Në dosje përmendet, se së pari ““Integrated Technology Waste Treatment Fier” SHPK dhe personi juridik “Integrated Technology Servis” SHPK, janë dy shoqëri tregtare që janë përdorur dhe kanë shërbyer si mjete për të realizuar veprat penale të mësipërme dhe janë persona juridikë që kanë përfituar shuma monetare si rezultat i kryerjes së veprave penale të mësipërme.

Ekziston rreziku se “disponimi i lirë i personave juridikë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” SHPK dhe “Integrated Technology Services” SHPK, mundet të lehtësojë apo të zgjasë pasojat e veprës penale apo të lehtësojë kryerjen e veprave të tjera penale.

"Po kështu, ekziston rreziku që disponimi i lirë i aksioneve të Klodian Zotos tek shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” SHPK, në masën 70% si dhe aksionet e tij tek shoqëria “Integrated Technology Services” SHPK, në masën 100%, si dhe aksionet e Elton Kollozit (djali i të ndjerit Flamur Kollozi) tek shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, SHPK, në masën 30%, mundëson faktin që këto aksione të shiten, të tjetërsohen te persona të tjerë apo të humbasin, duke u bërë me pas i pamundur konfiskimi i tyre. Vendosja e masës së sekuestrimit parandalon rrezikun që personat juridikë të mund të lehtësojnë apo të zgjasin pasojat e veprave penale, parandalon rrezikun e shitjes, tjetërsimit apo të humbjes së pasurive që mund të konfiskohen”, - thuhet në dosje.

Të dyshuarit dhe transaksionet fiktive

Në analizë të fakteve dhe provave të analizuara më sipër, gjykata çmon se transaksionet e shoqërive “Integrated Technology Waste Treatment Fier, SHPK me shoqëritë e mësipërme “Pivot 04 “SHPK, “Sili” SHPK, “JPY” SHPK, janë transaksione fiktive dhe se këto shoqëri janë krijuar posaçërisht për t’u përdorur për të mbuluar natyrën e vërtetë të kryerjes së këtyre transaksioneve dhe konkretisht:

Së pari: Shoqëritë “Pivot 04” SHPK, J.PY” SHPK, janë krijuar në vitin 2016.

Së dyti: Shoqëritë “Sili SHPK, dhe “J.PY” SHPK, kanë deklaruar të njëjtën adresë të selisë së tyre, rruga “Aleksander Goga”. godina nr 8556, Durrës:

Së treti: Asnjë nga shoqëritë e mësipërme nuk kanë pasur kapitalin e nevojshëm, punonjësit e nevojshëm të kualifikuar për të kryer punimet sipas faturave tatimore përkatëse. Punëtorët e regjistruar janë të regjistruar si punëmarrës fiktive, të cilët gjatë deklarimit të tyre rezulton se nuk kanë patur dijeni për këtë fakt dhe nuk njohin personat e tjerë të regjistruar si të punësuar.

Së katërti: Personat që kanë themeluar shoqëritë respektive, shtetasi Arber Denizi, shoqërinë “Pivot-04”, SHPK, shtetasi Silvester Driza, shoqërinë “Sili” SHPK, shtetasi Juri Ymeraj, shoqërinë “J.P.Y” SHPK, janë persona që kanë lidhje shoqërore me shtetasin Arbi Koka, djali i shtetasit Lefter Koka;

Së pesti: Në kohën që janë krijuar shoqëritë tregtare, si dhe gjatë aktivitetit te tyre, ortakët dhe administratoret e tyre kanë qenë të punësuar në vende të tjera pune me paga të ulëta në krahasim me veprimtarinë tregtare që kanë kryer shoqëritë e tyre tregtare, si dhe rezulton se përfaqësues të tyre janë të lidhur me shtetasin Lefter Koka Shtetasi Arber Denizi në periudhën kohore nga data 21.3.2014-29.7.2018 ka punuar si “magazinier” pranë shoqërisë “Hekurudha Shqiptare” SHA me page mujore 28.000 lekë; Shtetasi Driza për periudhën kohore prill 2014-prill 2016 ka qenë i punësuar në shoqërinë “Hekurudha Shqiptare” SHA, me pagë mujore 20.000 lekë, Shtetasi Agim Seferi ka qenë i punësuar në Kuvendin e Shqipërisë, specialist në Qarkun e Durrësit për deputetët e opozitës për periudhën 24.10.1980 e në vijim, si dhe rezultojnë njohje personale të tij me shtetasin Lefter Koka; Shtetasi Roabri Jaupaj, i cili ka vepruar si përfaqësues i shoqërisë “JPY SHPK, në vitin 2017 ka punuar në shoqërinë “Hekurudha Shqiptare” SHA, ndërsa nga muaji mars 2019 e në vijim rezulton punonjës i shoqërisë “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti” SHA me aksioner kryesor shtetasin Lefter Koka; Shtetasi Tomir Haxhiraj, i cili ka vepruar si përfaqësues i shoqërisë “J.PY”, SHPK, nga data 05.10.2018 e në vijim ka ushtruar funksionin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti”, SHA.

Së gjashti: Nga këqyrja ne sistemin TIMS ka rezultuar se në datën 28.11.2018 shtetasi Arbi Koka dhe Silvestër Driza kanë dalë nga territori shqiptar me automjetin me targa AA665MT. Në datën 2.10.2019, shtetasit Arbi Koka dhe Silvester Driza kanë dalë dhe kanë hyrë nga territori shqiptar me automjetin me targa AA333MA, e dhënë e cila provon faktin e njohjes midis këtyre shtetasve

Së shtati: Nga analiza e aktit të ekspertimit grafik provohet se shoqëritë “Pivot 04” SHPK, “Sil”i SHPK., “J.P.Y” SHPK, kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe se faturat janë shkruar dhe nënshkruar nga i njëjti person. Pra, provohet se këto shoqëri i menaxhon dhe i shërbejnë të njëjtit person.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë