Politike

Inceneratori i Fierit/ 11 deputetë të PD Rithemelimit i drejtohen SPAK: Prokurori Prençi devijoi hetimet, e thotë gjyqtarja    

11 deputetë të PD së Rithemelimit i janë drejtuar SPAK dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për prokurorin Dritan Prençi, të cilin ata e akuzojnë se, “ka fshehur prova që zyrtarë të lartë të qeverisë Rama të dalin pa lagur nga hetimi për inceneratorin e Fierit”.

“Prokurori Dritan Prençi qëllimisht ka zhdukur provat që përfshijnë drejtpërdrejt në aferën e inceneratorit të Fierit Damian Gjiknurin, Armando Subashin, Engjëll Agaçin dhe shumë titullarë të tjerë të Ministrisë së Financave, NJZP, etj. Këto janë vënë në pah nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Në çështjen e Inceneratorit të Fierit, Gjyqtarja e Seancës Paraprake, me vendimin e 24 marsit 2023 ka vendosur “Dërgimin e çështjes në gjykim për Incineratorin e Fierit”.

Në pikën 100, gjyqtare Davidhi, evidenton se, hetimet e kryera prej Prokurorisë SPAK (Dritan Prençit) janë të mangëta, të cekta, të pjesshme, të devijuara, dhe selektive”, citoi deputeti i Rithemelimit, Luan Baçi

Sipas tij, veprimet sa më sipër të Prokurorit Dritan Prençi kapërcejnë përgjegjësinë disiplinore ndaj tij, dhe janë veprime të kundraligjshme.

“Është Prokurori Prençi, që në rastin konkret rezulton të ketë konsumuar me dashje, veprën penale të ”Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

Prokurori që ka për detyrë të kryejë hetime të plota, i ka mbyllur hetimet brenda dy javësh dhe nuk ka hetuar shtetasit që përmenden në aktet e kontrollit të KLSH-së dhe Ministrisë së Financave.

Duam të ritheksojmë atë që nga kjo foltore është paraqitur që prej 3 javësh se, i njëjti prokuror po fsheh të dhënat e raportit konfidencial të KLSH, po fsheh auditet e kryera nga Ministria e Financave, po fsheh provat të cilat pasqyrohen nga Altin Dumani në dosjen hetimore për Arben Ahmetaj, ku implikohen drejtpërdrejtë Erion Veliaj dhe Edi Rama.

Siç e shihni, këto nuk janë akuza politike dhe as interpretime të cilat mund të denigrojnë figurën e prokurorëve”, tha Baçi.

Sipas tij, devijimi i hetimit penal, ka sjellë favorizimin e personave që janë lënë jashtë këtij procedimi penal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë