Drejtësia

Inceneratorët/ Apeli lë në burg ish-deputetin socialist, Alqi Bllako  

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në burg ish-deputetin socialist Alqi Bllako.

Apeli la të pandryshuar masën e sigurisë vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Ish- deputeti kerkoi lirimin nga burgu duke argumentuar në kërkesën e tij drejtuar gjykatës se nuk ka prova për fajësinë e tij.

Seanca zgjati dy orë.

Në ankim, Bllako pretendoi se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale prej tij dhe nuk ekzistojnë kushtet ligjore për një masë ekstreme, si ajo e “arrestit në burg”.

I arrestuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me aferën 4.9 milionë euro të inceneratorit të Fierit, ai ka mohuar akuzat që të ketë shkelur ligjin gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit për ndërtimin e tij.

Në dëshminë para grupit hetimor, Bllako ka mohuar që të ketë rol vendimmarrës te inceneratorët, duke thënë se ka pasur për detyrë vetëm të përcjellë shkresën për miratim te Këshilli i Ministrave.

Alqi Bllako u arrestua me urdhër të SPAK më 1 prill 2022. Sipas dosjes hetimore të SPAK, i mandatuari i PS në zgjedhjet e 25 prillit 2021, akuzohet për procedurën e shpronësimit të tokës arë ku do të ndërtohej incineratori i Fierit, me sipërfaqe 111 564 m2.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë